
GREQI- Një 53-vjeçar nga Durrësi ka rënë në prangat e policisë greke i akuzuar për veprat penale “tentativë përdhunimi” dhe “plagosje e lehtë”. Sipas medias greke, Protothema, shqiptari i ka ofruar viktimës së tij punë si pastruese, ndaj edhe ajo ka shkuar në banesën e tij.
Pikërisht këtu ka ndodhur edhe abuzimi. Pasi ishte vetëm me të në shtëpi, shqiptari e ka sulmuar, dhunuar dhe më pas ka tentuar që ta përdhunonte. Por gruaja ka arritur që të shpëtojë dhe të mbyllet në një dhomë të banesës së tij, aty ku edhe ka telefonuar Policinë për të denoncuar ngjarjen.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë të cilat vunë në pranga 53 vjeçarin shqiptar, ndërkohë që kanë transportuar në spital shtetasen greke, e cila aktualisht po trajtohet në spitalin e Nicës./ZËRI