
TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për grumbullimin dhe më pas shitjen me shumicë të fruta-perimeve. Hetimi paraprak do të bëhet në qarqet, Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, për të parë nëse ka kufizim të konkurrencës. Në raportin e publikuar, thuhet se pikat e shumicës në Tiranë shtrenjtuan çmimet deri në 100% kur ua shitën bizneseve të pakicës, por rritje ka pasur edhe në qarqet e tjera. Në Fier, çmimet nga fermeri deri tek pikat e shumicës u shtrenjtuan me 11-50%; në Elbasan, 7-56%; në Korçë, 17-40%. Ndërkohë grumbulluesit e Beratit, mblidhnin produktin pa fatura tek fermerët, deklaronin çmime jo reale. Ndërkohë që ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 7% në raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark.
Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024.
TIRANË
Në qarkun e Tiranës operojnë 18 ndërmarrje. Nga monitorimi në terren në këtë qark vihet re se nga çmimet e blerjes tek fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese, deri tek çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 11-55%. Ndërsa nga diferenca nga çmimet me shumicë të aplikuara nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese me çmimet e shitjes me pakicë rezulton 27-100%.
FIER
Në qarkun e Fierit operojnë 41 ndërmarrje. Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 5.5% në raport të xhiros totale. Nga monitorimi në teren në këtë qark viret re se nga çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese deri tek çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 11-50% për produkte të ndryshme fruta-perime
BERAT
Në qarkun e Beratit operojnë 8 ndërmarrje. Ndërmarrjet e tjera kanë një pjesë më të vogël se 7% në raport të xhiros totale të realizuar për këtë qark.
ELBASAN
Në qarkun e Elbasanit operojnë 3 ndërmarrje. Nga monitorimi në terren në këtë qark vihet re se çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese deri tek çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 7-56%.
KORÇË
Në qarkun e Korçës operojnë 16 ndërmarrje. Kanë një pjesë më të vogël se 8.5% e xhiros totale. Nga monitorimi në terren për këtë qark vihet re se çmimet e blerjes te fermeri nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese deri tek çmimet e shitjes me shumicë të vendosura nga ana e ndërmarrjeve grumbulluese kemi një diferencë prej 17-40%.
NJOFTIMI I AUTORITETIT TË KONKURRENCËS:
Komisioni i Konkurrencës, pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve mori në shqyrtim në mbledhjen e datës 14.06.2024 propozimin e sekretariatit të konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg për qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1085, datë 14.06.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, për të parë nëse ka, ose jo, shkelje të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024./ZËRI