Aktualitet

Auditim për banesat mbi 50-vjeçare, Balluku: Si do kryhet procesi. Konsultim me pronarët

Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku shpjegoi sesi do kryhet procesi, duke shtuar se qeveria do konsultohet me pronarët.

D.XH

Auditim për banesat mbi 50-vjeçare, Balluku: Si do kryhet procesi.

TIRANË – Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku është pyetur se cili do të jetë hapi që do të ndërmarrë qeveria shqiptare, për auditimin e banesave dhe të pallateve, që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar. Balluku theksoi se procesi do të nisë nga Instituti i Ndërtimit, do të nxirren të dhënat dhe banesat, që nuk do të përmbushin kushtet e sigurisë për jetesën normale, do të prishen.

Ministrja shpjegoi se procesi nuk do të bëhet në mënyrë arbitrare, por në konsultim të ngushtë me pronarët e banesave. “Para së gjithash, përgëzoj për formulimin e saktë, do ketë një skanim të ndërtesave që kanë mbi 50 vite. Ne duam për të qenë të sigurë, se çfarë do të ndodhë në të ardhme. Shqipëria është një vend me sizmologji komplekse, jo të thjeshtë.

Ne na duhen t’u paraprijmë proceseve, e kemi bërë fillimisht me urat. Janë punë shumë të mira që kemi bërë. Janë punë kërkimore parandaluese, të njëjtën gjë do bëjë Instituti i ndërtimit me banesat që kanë mbi 50 vite. Disa prej tyre mund të përmbushin kushtet për demolim (prishje) dhe për ngritjen e një ndërtese të re. Askush nuk do marrë vendime arbitrare, pa pyetur vetë pronarët. Nëse ndërtesat që nuk përmbushin kushtet e  sigurisë për jetesë, shteti sigurisht që do ndërhyjë”, deklaroi Balluku.

Ministrja Belinda Balluku mbajti sot një konferencë për mediat, ku foli për një sërë çështjesh të rëndësishme në vend./ZËRI/

Poll

MOS HUMB