
ELBASAN- Ka kurorë në kokë në momentin e arrestimit, por nuk është mbreti i kokainës në Shqipëri. "Krimineli" është Saimir Rexhepi, i njohur ndryshe me pseudonimin, "Ujku i Cërrikut", i cili ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit "Tempulli". Videoja është shpërndarë kudo në rrjet, pasi është filmuar nga Policia, duke ruajtur karakteristikat e personazhit më të rëndësishëm të rrjetit kriminal. Madje nuk i hoqën as kurorën nga koka, duke i respektuar personalitetin.
Në momentin që sheh kamerat, “Ujku i Cërrikut” bën edhe ulërimin e tij karakteristike, duke e ditur që e presin pak kohë në "kafaz". Megjithatë është pikërisht kjo video që bën po aq qesharak të gjithë operacionin, që në të vërtetë të vetëm "kokë krimi" që vendosi në pranga, ishte personazhi mediatik që jeton në një botë paralele, të krijuar prej tij. Qartësisht në gjendje jo të mirë të shëndetit mendor. Pavarësisht këtyre detajeve, ai sërishtë filmuar dhe shpërndarë kudo në rrjet.
Operacioni i koduar “Tempulli”, u shtri në 5 qarqe të vendit, në kuadër të të cilit ranë në pranga 246 persona dhe u goditën 23 grupe kriminale. Finalizimi i operacionit të koduar “Tempulli” erdhi pas rreth 8 muajsh hetime dhe në qarqet ku u zhvillua u sekuestruan 134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike.
Droga e sekuestruar shitej në afërsi të shkollave, lokaleve të natës apo blloqeve të banimit. Vetëm në kryeqytet, gjatë aksionit u firmosën 120 urdhër-arreste ndërsa në total ranë në pranga 233 shpërndarës të lëndëve narkotike. Mes të arrestuarve është edhe efektivi i policicë Saimir Hysa i cili është vënë në pranga nën akuzë për shpërdorim detyre e përkrahje e autorit të krimit. Për herë të parë në Shqipëri gjatë këtij aksioni u zbulua një drogë e re xhelatinoze, e cila vinte nga Kanadaja.