
AMP- 3 punonjës policie janë vënë në pranga nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore, nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Në pranga kanë rënë inspektorët e policisë Eldo Shyti dhe Granit Nuraj, të cilët dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh, duke ia marrë dy shtetasve hollandezë për të mos i hequr patentën. Shyti dhe Nuraj ua kanë marrë paratë hollandezëve me pretendimin se do e paguanin ata gjobën, që në fakt nuk e kishin vendosur fare.
Në pranga ka rënë dhe Klisman Çela me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shperdorim detyre”.
Njoftimi i AMP-së: Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka finalizuar dy procedime penale dhe ka arrestuar 3 oficerë policie si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka kryer arrestimin në flagrancë të Oficerëve të policisë Inspektor E. SH. dhe Inspektor G. N., me detyrë Trup Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë.
Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas hollandezë, të cilët në datën 15.09.2023, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me preteksin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe se i kanë favorizuar duke mos u pezulluar Lejen e Drejtimit.
Materialet në ngarkim të dy punonjësve do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë sit ë dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni pasiv kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka bërë ndalimin e Oficerit të policisë K.Ç., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shperdorim detyre”.
Ndalimi u krye pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative.
Materialet proceduriale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit Zjarrfikës, duke telefonuar falas në numrin 08009090.
Në lidhje me këto 3 arrestime ka reaguar dhe ministri i brendshëm Taulant Balla, i cili shkruan: Vijon procesi i vetë-pastrimit në Policinë e Shtetit. Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar dhe vendosur përpara përgjegjësisë penale tre oficerë të Policisë së Qarkullimit Rrugor, dy në Vlorë dhe një në Fier për veprime korruptive, duke i çuar në 10 rastet e turpit të goditura në tetë javët e fundit nga një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili ka hyrë në një fazë të re, pa kthim pas!
Punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare apo dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm do të vijojnë të përballen, pa dallim dhe #zerokompromis me ashpërsinë e ligjit dhe vendosmërinë e qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për ta rritur në një tjetër nivel sundimin e shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.
Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në këtë drejtim është kritike, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët shqiptarë është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurtë dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të gardianëve të ndershëm dhe profesionistë ligjit.
Falenderojmë të gjithë ata qytetarë të cilët kanë raportuar apo ndarë me ne ankesat e tyre për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Kodin Etik në Policinë e Shtetit./Zëri