
VLORË- Një marinar gjerman, 42 vjeç, identifikuar si Michael Scherer, është gjetur pa shenja jete brenda një jahti në Vlorë. Ngjarja u raportua shkurtimisht ditën e diel, ditë kur u bë me dije se trupi i pajetë i marinarit është dërguar në morgun e qytetit për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.
Paraprakisht, u raportua se 42-vjeçari mund të ketë pësuar infarkt teksa qëndronte brenda jahtit, por detajet e reja shtojnë dyshimet.
Scherer rezulton se ka qenë në jahtin me vlerë 450 milion eurosh, në pronësi të sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan, në momentin që ka ndërruar jetë. Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan është njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite dhe djali i themeluesit, Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Të gjithë pushuesit po admironin bukuritë e jahtit që ishte ankoruar pranë Karaburunit në momentin që vunë re se pranë tij u paraqit një auto-ambulancë që u largua me trupin e pajetë të marinarit.
Në mbrëmje të të njëjtës ditë, trupi i pajetë u dërgua për në Tiranë, ndërsa jahti u largua nga gjiri i Vlorës. Deri më tani, pavarësisht se kanë kaluar gjashtë ditë nga ngjarja, nuk kanë dalë ende rezultatet e autopsisë, duke e lënë ngjarjen të mbuluar me mister.