Aktualitet

Arrestimi i prokurorit Zarka, bashkëshortja e tij me kompani për ruajtjen e sendeve me vlerë në Tiranë dhe punonjëse në AMF

Suela Zarka rezulton aksionere në një kompani për ruajtjen e sendeve me vlerë

E.K
Arrestimi i prokurorit Zarka, bashkëshortja e tij me kompani për
Aurel zarka

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u vu dje në pranga me urdhër të SPAK, pasi kishte ndërhyrë në të paktën 8 çështje hetimore, 4 prej të cilave lidheshin me dosjen ‘Toyota Yaris”. ZËRI mëson se përveç pasurisë së majme që deklarohej prej tij, edhe bashkëshortja e prokurorit, Suela Zarka, rezulton që të jetë punonjëse në një institucion publik, siç është Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Po ashtu Zarka rezulton ortake në një kompani që i ka zyrat pranë dy kullave në Tiranë, dhe ka si objekt ruajtjen e sendeve me vlerë.

Suela Zarka rezulton aksionere së bashku me shtetasen Algerta Elezi, në kompaninë “City Lockers Tirana”. Kompania ka për objekt:

Konceptimin, projektimin dhe zbatimin e sistemeve të ruajtjes se sendeve personale në shkallë të vogël (rafte) duke përfshirë anën fizike dhe softuerike të sistemeve objekt veprimtarie. Ofrimin e shërbimit të ruajtjes së bagazheve të udhëtarëve nëpërmjet një zgjidhje të sigurtë dhe të besueshme për ruajtjen e sendeve personale. Ofrimin e shërbimit të dhënies me qira të ambienteve magazinuese të vogla (rafte) kundrejt palëve të treta. Ofrimin e çdo shërbimi tjetër që lidhet me aktivitetin bazë duke përfshirë por jo vetëm, shërbimet për sigurinë, shërbimet elektronike të rezervimit, pagesës etj. Gjithashtu, shoqëria mund të zhvillojë çdo aktivitet tjetër të ligjshëm, i cili nuk lidhet drejtpërdrejtë me aktivitetin e saj.

Arrestimi i prokurorit Zarka, bashkëshortja e tij me kompani për

Aurel Zarka u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK, për akuzën e ndikimit të paligjshëm. Sipas SPAK ai ka tentuar në 8 raste që të ndërhyjë te funksionarët e drejtësisë. Ndërkohë që 3 personat e tjerë që janë përfshirë në korrupsion së bashku me Zarkën, nuk është arritur që të vihen në pranga. Bëhet fjalë për ish-oficeren e krimeve të rënda Eriona Dautaj, aktualisht studente në shkollën e Magjistraturës, si dhe biznesmenin Astrit Vladi e avokatin Radovan Çela. 

SPAK thotë se në këtë operacion prokurorët e posaçëm janë ndihmuar nga Europol, Eurojust, autoritetet franceze të drejtësisë, autoritetet belge të drejtësisë, si dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit në fazën e ekzekutimit të masave të sigurimit.  

Nga ana tjetër në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhet se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Zarka akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021); (ii)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (iii)“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal./ZËRI

Poll

MOS HUMB