
TIRANË- Armiku i betuar i Ervis Martinajt, Leonard Duka është ekstraduar sot nga Belgjika. I ashtëquajturi "Princ Damiano" ka mbërritur në Rinas, i shoqëruar nga Forcat Speciale dhe Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në pamjet e mbërritjes Duka shihet me pranga në duar dhe i veshur me të zeza. Pas dorëzimit në dorë të Policisë, ai do të përballet me drejtësinë shqiptare për akuzat që rëndojnë mbi të. Kreu i klanit ‘Duka’, ra në pranga një vit më parë, në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
NJOFTIMI:
Interpol Tirana kryen ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar L. D. Drejtoria e Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, realizoi ekstradimin drejt vendit tonë, të shtetasit L. D.
Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L. D. dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M. Gjithashtu, shtetasi L. D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon Zyrën e Interpol Bruksel, për bashkëpunimin, dhe njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të operacionit të ekstradimit.
Leonard Duka u arrestua Bruksel në shkurt të viti 2023 për vrasjen e Santiago Malkos, i cili ishte njeriu i besuar i Ervis Martinaj. Gjatë aksionit, policia ndërhyri në lagjen ku jetonte Muhamet Duka, duke hequr me shume se 13 kamera sigurie te vendosura në rrugë. Ervis Martinaj, i cili është i kërkuar nga drejtësia, vazhdon të jetë i zhdukur që prej gushtit të 2022 dhe policia nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Lidhja e Dukës me Martinaj
Arratia e Leonard Dukës, kreut të klanit 'Duka', të vetëquajtur dhe si ‘Princ Damiani’, një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019, përfundoi në shkurt të vitit që lamë pas. I shumëkërkuari ndërkombëtar u kap ditën e 14 shkurtit, ditë kur të dashuruarit festojnë, nën shoqërinë e një vajze. Atij iu gjetën armë dhe para. Vendndodhja e tij u zbulua nga Fast Albania, që informuan më pas Fast Belgjikë, grupi që bëri dhe arrestimin. Leonard Duka njihej dhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt. Ata kanë qenë ortakë dhe miq mjaft të mirë, që u kris kur në lojë u fut një shumë e majmë parash prej 800 mijë eurosh.
Ishte biznesi i lojërave të fatit ai që Duka e Martinajn themeluan bashkë, por shumë shpejt nisën përplasjet për këtë aktivitet, përplasje që përshkallëzuan dhe në eliminim të personave më të afërt të njëri-tjetrit. Dukajt vranë Santiago Malkon, të besuarin e Martinajt, ngjarje për të cilën ndodhet pas hekurave Blendi Teta. Ndërsa Ervis Martinaj, një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022./ZËRI