
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka mbyllur shqyrtimin e çështjes Beleri, dhe ka caktuar datën 25 Qershor për dhënien e vendimit. Në seancën e sotme, avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari kërkoi përjashtimin e gjyqtares Danjela Shirka, me pretendimin se ajo është e njëanshme. Kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata, ndërkohë që vetë Beleri, duke folur para gjykatës tha se e kishte ndërgjegjen e qetë.
Avokatja Gjyzari ka pretenduar se provat janë të falsifikuara, duke kërkuar kështu prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe pafajësinë e Belerit.
“Vendimi i gjykatës nuk i plotëson kushtet normale të arsyetimit, është kopjuar nga kërkesa e Prokurorisë. Do të kundërshtoj të gjitha provat në të cilat është mbështetur gjykata për ta shpallur fajtor zotin Beleri. Ka shkelje proceduriale dhe të të drejtave të pandehurit. Ka lapsuse në disa gjëra. Sekretarja e Prokurorisë kishte harruar ta regjistronte vendimin e Prokurorisë për përgjimin. U rikthye për ta regjistruar në orën 11:40 të natës”, mësohet të ketë thënë ajo para togave të zeza.
Shirka ka mohuar pretendimet e avokates duke thënë se caktimi i trupës gjykuese është bërë me short elektronik.
DEBATET
Gjyzari-Shirkës: Ju nuk jeni caktuar me short, por jeni caktuar manualisht. Nuk jeni caktuar me short për gjykimin e kësaj çështje. Në asnjë rast nuk jeni caktuar me short, në 3 raste të gjykuara për Belerin. Nuk plotësoni kushtet për të qenë gjyqtare e caktuar me ligj për këtë çështje.
Shirka-Gjyzarit: Ju relatuat shkaqet që nuk jeni dakord me këtë trup gjykues.
Gjyzari-Shirkës: Është e pavërtetë që ju jeni caktuar me short.
Gjyzari: Çështja e themelit nuk gjykohet nga gjyqtarët që gjykojnë çështje të veçanta. Ju jeni e njeanshme dhe ne do paraqesim kërkesë për përjashtimin tuaj. Gjykata caktohet me short.
Shirka: Ju keni të drejtën tuaj të parashtroni të gjitha kërkesat për përjashtimin e trupit gjykues. Në vazhdim, ju kërkoni të paraqisni kërkesën tuaj me shkrim.
Gjyzari: Po, do e paraqesim me shkrim.
Shirka: Vetë i pandehuri është dakord?
Beleri: Po
Avokati i Kokaveshit: Mbajmë të njëjtin qëndrim, kërkojmë dhe ne përjashtimin tuaj.
Adnan Xholi, prokuror i SPAK: Kjo lloj kërkese nuk e pezullon vazhdimin e procesit gjyqësor. Të vazhdojë seanca.
Daniela Shirka: Gjykata vlerëson se nuk ndodhet në kushtet për të ndërprerë seancën gjyqësore. Gjykata relaton në vijim, deklaron të hapur diskutimin.
Gjyzari: Mua nuk më lejohet ta paraqrs më vonë, përndryshe pranoj pasojat e aktit.
Gjykata e Posaçme e shkallës së parë e ka dënuar Belerin me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës mbahet në burg që prej muajit Maj të vitit të kaluar, ndërsa nga burgu arriti që të zgjidhej dhe eurodeputet. /ZËRI