
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e SPAK, për përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi nga shqyrtimi i kërkesës së Jamarbër Malltezit, për heqjen e sekuestros së pasurive të tij. Ka qenë gjyqtarja Miljana Muça ajo që ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe tashmë do të jetë Olldashi ajo që do të vendosë sërish për Malltezin. SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares me pretendimin se ajo ishte në konflikt interesi, pasi ka blerë në vitin 2015 një apartament nga kompania “Homeplan”.
Gjyqtarja Olldashi, ishte ajo që zbuti masën e sigurisë për Malltezin, duke e nxjerrë nga burgu dhe duke caktuar masën arrest shtëpie. SPAK njoftoi se do bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër këtij vendimi, dhe kërkoi përjashtimin e saj nga seanca për pasuritë e Malltezit.
Për Malltezin SPAK pretendon se duhet të qëndrojë në burg, pasi nuk ka asnjë rrethanë për lehtësimin e masës ndaj tij. Gjyqtarja Olldashi ka blerë apartament në vitin 2015 në kompleksin në pronësi të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit.
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaji tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. /Zëri.ai