Aktualitet

Ankandi 1 mln euro për skrapin e 'TEC Fier', pas “Shijakut” fshihen Zoto-Mërtiri (PROVAT)

Nga hetimet e zhvilluara, SPAK ka bërë një gjetje të rëndësishme: shoqëria “Shijaku shpk”, është në fakt në pronësi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

k.m.
Ankandi 1 mln euro për skrapin e 'TEC Fier', pas
Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto

TIRANË- Zbardhet tjetër pjesë nga dosja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj dhe dy biznesmenët e shpallur në kërkim, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Nga hetimet e zhvilluara, SPAK ka bërë një gjetje të rëndësishme: shoqëria “Shijaku shpk”, është në fakt në pronësi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit. Në fakt, në QKR rezulton se kompania është në pronësi të Shpëtim Shijakut.

Gjurmët e lëna në sistem nisin që kur Arben Ahmetaj emërohet ministër për Zhvillimin e Sipërmarrjes, dikaster që kishte në kompetencë privatizimin dhe/ose likujdimin e ndërmarrjeve shtetërore jo-fitimprurëse. Një prej tyre, ishte “Petrol Alba”. Ahmetaj emëron likujidator të saj Artan Gjokaj, të cilin SPAK e identifikon si mikun e tij të ngushtë të ish-zv.kryeministrit.

Në Prill të vitit 2014, likujidatori Gjokaj i propozon ministrit Ahmetaj shpalljen e ankandit për mbi 4.826.521 kilogram skrap dhe çelik nga ish-Termocentrali i Fierit, për një vlerë prej 115.836.004 lekë të reja ose rreth 1 milion euro dhe fitues shpallet shoqëria “Shijaku” shpk, e cila kishte ofruar shifrën e njëjtë me atë që kishte vendosur autoriteti kontraktor, pra 115.836.004 lekë. Lidhja me Zoton dhe këtë kompani është bërë nga emailet që SPAK ka mundur që të rikthejë në kompjuter. 

"Në 8 korrik 2014, shtetasja Lela Filaj i dërgon një e-mail Klodian Zotos, me titull: “Draft kontrata”, me përmbatje: Përshëndetje, bashkëlidhur do të gjeni draft-kontratën për shitjen e skrapit në TEC Fier. Nëse keni ndonjë sugjerim, ju lutem na komunikoni."

Kështu, SPAK deklaron se “pavarësisht se rezulton që shoqëria ‘Shijaku’ është fitues, konstatohet se procedura kontrollohet nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”. Madje shton se ka marrë edhe disa tendera të tjerë, të cilët do të zbardhen në vazhdim."

PJESË NGA DOSJA: 

Rezulton gjithashtu, se shtetasi Klodian Mene (vëllai i shtetasit Leonard Mene, kunati i shtetasit Arben Ahmetaj), i cili deri në dhjetor 2013 kishte punuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pas emërimit si ministër të shtetasit Arben Ahmetaj, punësohet pranë ministrisë që ky i fundit drejtonte. Edhe ky shtetas konstatohet se ka ecur në karrierë përgjatë kohës që edhe vetë Arben Ahmetaj ka mbajtur funksione të larta.

Me anë të Autorizimit me Nr. 3355/1 Prot., datë 06.05.2014, Drejtoria e Përgjithshme e Pronës Shtetërore, Drejtoria e Privatizimit, ka autorizuar shtetasin Klodian Mene (vëllai i shtetasit Leonard Mene, kunati i shtetasit Arben Ahmetaj të marrë pjesë si përfaqësuesi i MZHETS-së në ankandin procedurë e hapur e shoqërisë "Petrol Alba" Sha, shoqëri në likujdim, për shitjen "Skrap përfituar nga nxjerrja jashtë përdorimit të TEC-Fier". Sipas këtij autorizimi, i cili është nënshkruar nga shtetasi Arben Ahmetaj, ankandi do të zhvillohet në ambjentet e MZHET-së.

Më datë 06.05.2014, nga shoqëria "Petrol Alba Sh.a." është urdhëruar zhvillimi i ankandit *Shitje strap hekuri dhe çeliku të përfituar nga nxjerrja e aseteve jashtë përdorimit, gjendje të TEC Fier". Vlera fillestare e ankandit është përcaktuar 115,836,504 lekë. Për këtë procedurë ankandi është ngarkuar njësia e Ankandit, e cila përbëhet nga Blerta Uka; Mirela Filaj; Klodian Mene, Bledar Ahmeti dhe Ardi Matohiti. Urdhëri është nënshkruar nga likujdatori i shoqërisë, Artan Gjokaj. 

Më datë 06.05.2014, në raportin e ekspertëve është përcaktuar se skrapi nuk është grumbulluar por i trupëzuar dhe i ndërlidhur me asete të tjera, të cilat nuk janë nxjerrë jashtë përdorimit. Më datë 06.05.2014, Njësia e Ankandit, drejtuar likuidatorit të shoqërisë "Petrol Alba" (Artan Gjokaj), duke kërkuar përcaktimin e kritereve, një strukturë të specializuar ose të punësojë specialistë të jashtëm. Në datë 10.05.2014 është lidhur kontrata mes "Petrol Alba" dhe kompanisë "Unitee-Studio", kjo shoqëri është themeluar më datë 12.11.2007.

Më datë 18.06.2014, nga Njësia e Ankandit është bërë shpallja si fitues e shoqërisë "Shijaku" me ofertë 115,836,504 leke pa Tvsh. 

Pavarësisht se është palë kontraktore, pas kësaj shoqërie rezulton se qëndrojnë pikërisht miqtë e Arben Ahmetaj. Ky konkluzion lexohet nga provat e administruara. Në kompjuterin e sekuestruar të shtetasit Klodian Zoto është evidetuar një email i datës 08.07.2014 ora 06.36 ku shtetesja Lela Filaj dërgon një email "[email protected]" me titull "Draft Kontrata" me përmbajte: Përshëndetje! Bashkëlidhur do të gjeni draft kontratën për shitjen e skrapit në TEC Fier: Nëse keni ndonjë sugjerim me komunikoni! Faleminderit".

Pra pavarësisht se rezulton shoqeria "Shijaku" sh.p.k. si fituese konstatohet se procedura kontrollohet nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

16.07.2014 (pak pasi është krijuar edhe shoqëria Albtek Energy sh.p.k. fituese e inceneratorit të Elbasanit), është lidhur kontratë shitje hekuri dhe çeliku e përfituar nga nxjerrja e aseteve jashtë përdorimit, gjendjte te TEC Fier nëpërmjet shoqërisë "Petrol Alba shia", e përfaqësuar nga likuidatori Artan Gjokaj, dhe shoqërisë "Shijaku" sh.p.k., e përfaqësuar nga Shpëtim Shijaku. Objekt i kesaj kontrate është shitja e 4 826 521 kg skrap hekuri dhe çeliku, çmimi i kontratës është 115 836 504 lekë pa TVSH ose 139 003 804 leke me TVSH.

Me datë 16.07.2014 ora 09.43 shoqëria "Shijaku" sh.p.k., i dërgon email shtetasit Arenc Myrtezani, me titull "Draft kontrata Tec Fier" dhe shtetasi Arenc Myrtezani "renci", me datë 16.07.2014 ora 09.48 ia dërgon emailin shtetases Lejla Filaj, shtetasit Klodian Zoto. Bashkëlidhur është kontrata draft, pa datë dhe e paplotësuar plotësisht, e vitit 2014, një shkresë e draft shoqërisë "Petrol Alba" sh.a. e vitit 2013. Me emailin e datës 16.07.2014 shoqëria "Shijaku" sh.p.k. i dërgon adresave "[email protected]" dhe shtetasit Oljon Kaso, një email gjendur në kompjuterin e Klodian Zotit, e në të nëjjtën datë dërgohet edhe një sqarim nga një punonjëse e "Raiffeisen Bank", e cila sqaron problemin e ngritur nga formati i garancisë së lëshuar.

Me emailin e datës 16.07.2014 shoqëria "Shijaku" sh.p.k. i dërgon email adresës "klodian zoro bankers" me titull "Nga Petrol Abla Urdher pune Fë: Sigurim kontrate Shijaku sh.p.k." 18.07.2014 i shoqërisë "Petrol Alba" sh.a., i nenshkruar nga likuidatori Artan Gjoka, me të cilin është udhëruar sektori i menaxhimit të asteve të kontratës. Më 30.07.2014 ora 14.48, nga shoqëria "Shijaku" sh.p.k. i është dërguat kontrata shtetasit Klodian Zoto.

Shoqëria "Shijaku sh.p.k." shfaqet si një bashkëpunëtor i ngushtë edhe në projekte të tjera me shtetasit Zoto dhe Mërtiri (impianti i pastrimit të grykëderdhies së Lumit Shkumbin dhe rikualifikimi i vijës bregdetare Vilë Bashtovë në Rrogozhinë). 

Po ashtu, SPAK ka zbuluar në kompjuterin e Zotos materiale elektronike, me dërgues Etleva Kondin, drejtoreshë e rëndësishme në Ministrinë e Mjedisit në atë kohë dhe tashmë e pandehur për aferën e inceneratorit të Fierit. Kjo e fundit, ndihmon Zoton me të gjitha dokumentat që i duhen për pjesëmarrjen në tendera. Nga ana e SPAK evidentohet edhe fakti që Etleva Kondi, e cila dikur ka qenë e punësuar pranë Operatorit të Sistemit Të Transmetimit (OST) e më pas punësohet pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ka njohje me Klodian Zoton dhe është plotësisht e angazhuar në mbarëvajtjen e bizneseve që Zoto ka me Mirel Mërtirin. Në këtë dosje të ZËRI-t, ajo shpesh herë dërgon emaile në drejtim të Zotos, duke e udhëzuar sesi të procedojë me bizneset. Më datë 21.08.2014 ajo është emëruar nga Arben Ahmetaj si si anëtare e Këshillit Mbikqyrës në "Albpetrol Patos", detyrë që e ka mbajtur deri më 15.07.2016. Etleva Kondi gjithashtu rezulton e punësuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë më 18.11.2013, ku ka mbajtur fillimisht pozicionin e drejtorit në Drejtorinë e Koncensioneve, Prokurimeve, Shpronësimeve dhe Privatizimit, e më pas pozicionin e drejtorit në drejtorinë e Partneritetit Publik Privat në fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë (që nga nëntori 2017), ku është larguar me kërkesë të saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB