Aktualitet

Amnistia 'liron' 780 të dënuar, "lahen me lot" dyert e burgut, RRËFIME njerëzore mes kushteve të vështira dhe dhunës së gardianëve

Të shumtë ishin familjarët që kishin shkuar për ti pritur jashtë dyerve të burgut, që me lot në sy takuan pas shumë kohësh të afërmit e tyre.

k.m.
Amnistia 'liron' 780 të dënuar, "lahen me lot"
Foto nga një prej të liruarve

TIRANË- Dyert e burgjeve të vendit janë hapur sot nga Jugu në Veri! 780 të dënuar u liruan pasi përfituan nga Amnistria Penale, ndërsa 2662 të dënuar të tjerë me shërbim prove u është quajtur i kryer dënimi. Të shumtë ishin familjarët që kishin shkuar për ti pritur jashtë dyerve të burgut, që me lot në sy takuan pas shumë kohësh të afërmit e tyre. Sot, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte në burgun e Rrogozhinës, aty ku ishte edhe numri më i madh i të dënuarve që u liruan, nga ku edhe dha një mesazh për të gjithë të liruarit. Por gjithashtu theksoi se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk ka përfituar nga amnistia.

Por, në Shkodër, i pari që la qelinë e burgut të Reçit ishte ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i dënuar me 3 vite burg për tjetërsim pronash në Shëngjin.

"Uroj, askush të mos e provojë burgun,"- u tha gazetarëve që ndodheshin atje.

ZËRI ka zgjedhur edhe të dënuart të tjerë që kanë lënë sot qelitë, e kanë pasur takime prekëse me familjarët e tyre. Në Lezhë, nga burgu i Shën Kollit u largua Dritan Gjuzi i dënuar me 17 vite për trafik narkotikësh. Atë e priste e motra jashtë, e cila dha edhe një mesazh për mediat. 

"Unë po pres vëllanë, shyqyr që ia mbërrita kësaj dite për të pritur, kam ardhur nga Gjermania. I kanë bërë shërbim sikur e kanë pasur djalin e tyre. I falenderoj të gjithë. Sipas akuzës që i ka bërë "pentito", vëllai im ka bërë burg në Greqi. Me amnistrinë jam shumë e kënaqur,"-tha ajo. 

Vetëm se pak e prisnin që vëllai i saj kishte aftësi të kufizuara dhe lëvizte vetëm me karrocë invalidi. 

Një e dënuar ka dalë nga burgu i Peqinit, e cila është pritur nga i ati me lot në sy. Teksa përqafoheshin, ai e shihte dhe i thoshte: Mbaroi bija ime, mbaroi! Mbaroi o jeta ime!

Njëri nga të dënuarit, Klement Omeri, tregoi se ishte dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, por tani është shumë i lumtur që ka dalë jashtë dhe shton se liria nuk ka të paguar. 

“Kam qenë i dënuar për veprën trafikim të lëndëve narkotike. Nga institucioni jam i kënaqur. Liria nuk paguhet. Unë jam nga Konispoli, Sarandë. Isha dënuar 7 vite, bëra 2 vjet e gjysmë,”-tha ai. 

Një tjetër, tregon se është dhunuar nga gardianët e burgut vetëm një ditë para se të linte qelinë, duke u ankuar se nga dhuna i kishin shtrembëruar edhe nofullën. 

"U dënova se vodha një kabull. U dënova 2 vjet e 8 muaj me gjykim të shkurtuar, 4 vjet po ma shkurtuan dënimin. Kisha dhe 1 muaj për të shlyer. Vodha nga gjendja ekonomike, unë s'kam, jam copë-copë. Familja më ka lënë, jam pa shkollë. Unë di edhe shumë gjëra të bëj, por nuk kam shkollë. Kur nuk di shkrim edhe këndim, nuk të merr njëri në punë. Aty në burg nuk ka kushte, nuk ka ushqime, është skandal fare. Mirë ne që nuk kemi, gjynah. Kushtet e tjera ajrim, hiç asgjë. Këta përdorin dhunë, i përdorin të tëra. Dje, pardje, kisha për të dalë në Skype, ai më futi drru më shtrëmbërovi nofullën. Çfarë të bëja unë? Si do e filloj jetën? Do punoj. Më prej nusja, djali, vjehrra. Nuk më kanë ardhur se janë në Elbasan. E kam pasur shumë të vështirë. Nuk kanë ardhur se nuk kanë gjendje të mirë,"-tregon ai para mediave. 

Por bashkëvuajtësi i tij i dënimit, kur ka lënë qelinë e burgut ka ide më të qarta. Kur është pyetur se çfarë do të bëjë tani që përfitoi lirinë, ai ka lëshuar batutën: Do merrem me inceneratorët… si kryeministri!

Megjithatë ka edhe nga ata që nuk i pret askush! Madje as familjarët e tyre. Siç është rasti i këtij të dënuari që u lirua nga burgu i Peqinit kur 19 vite të jetës i kishte kaluar në qeli. Mendon se jashtë ka fëmijët e gruan, por asnjë prej tyre nuk duket në horizont që të ketë ardhur për të, edhe pse tani shfaqet si një person i penduar. 

"Jam shumë i lumtur që po dal, kanë qenë vite të vështira shumë. Shumë i kënaqur jam. Nuk e di kush po më pret, ndoshta fëmijët. Jam shumë i emocionuar prandaj po qaj. Burgu është shumë i vështirë. Sot nuk e di çfarë do të bëj. Dua të shoh vetëm fëmijët që më presin."

I vetëm ka qenë edhe "Berti", një nga përfituesit që doli nga burgu i Drenovës në Korçë. Ai fitoi lirinë pas rreth dy viteve në qeli për veprën penale të dhunës në familje, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes. Por edhe pse i liruar, ai pranon se nuk është penduar dhe se e kishte hak drurin gruaja. Megjithat premton se veprën penale nuk do ta kryejë më kurrë.

Amnistia 'liron' 780 të dënuar, "lahen me lot"
Berti

"Keq ndjehesh se të kesh fëmijë dhe asnjë mos të të vij. Më pranojnë fëmijët. Në burg isha për gruan. Isha për gati 2 vite në burg. Tani do punoj, por e vështirë është. Punën nuk e lë derisa të mbyll sytë se kam nipa dhe mbesa. Më ka ardhur goca në burg që më ka vizituar. Fëmijët nuk e duan nënën. Fëmijët e dinë se përse. Unë nuk jam penduar se ajo e kishte hak drurin. Por nuk e përsëris më. Nuk ka kthim pas,"-tregoi ai. 

Kush përfitoi nga amnistia penale?

Sipas ligjit të botuar në fletoren zyrtare, nga amnistia përfituan personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024 që përfshin: burrat e dënuar me 4 vjet heqje lirie, ndërsa gratë e kishin limitin deri në 5 vite. Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Ata që janë përjashtuar nga kjo amnisti janë personat që kanë mbi shpinë krime më të rënda, ato kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmit etj. Kështu u liruan 780 të dënuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB