
TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë mesazhin e presidentit Donald Trump. Në status përshëndetet paralajmërimi i Trump për sulme akoma më të fuqishme kundër Iranit.
“Çdo hakmarrje nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballet me forcë shumë më të madhe se çfarë u pa sonte. Faleminderit!” Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara”, thuhet në postimin e ambasadës.
Postimi vjen pasi konflikti Izrael-Iran ka hyrë në javën e dytë, me të dyja palët që ende shkëmbejnë sulme. Pas sulmeve amerikane, ushtria izraelite tha se Irani qëlloi një valë të re raketash drejt vendit. Mëngjesin e kësaj të diele, SHBA-të goditën disa objekte kryesore bërthamore iraniane, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Isfahan. Gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump pretendoi se vendet ishin "shkatërruar plotësisht" dhe paralajmëroi se SHBA-të mund të sulmojnë objektiva të tjerë nëse Irani nuk bën paqe. Në sulme u përdorën bombardues amerikanë B-2, dhe burimet thanë se SHBA-të përdorën gjithashtu një bombë “shkatërruese bunkerësh” prej 30,000 paundësh. Është rasti i parë i njohur i përdorimit të bombës në mënyrë operacionale.