TIRANË- Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet në lidhje me autorizimin e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi pezullimin e kësaj mbledhje, me pretendimin se çështja është depozituar në Kushtetuese. Mirëpo për kryetaren e Këshillit të Mandateve, Lindita Nikolla, në këtë rast nuk ka asnjë përplasje institucionale. Votat me socialistët i bashkoi dhe deputeti i vetëm i opozitës në mbledhje, Enkelejd Alibeaj.
DEBATET:
Gjokutaj: Kemi një kërkesë paraprake. Jemi vënë në dijeni të kërkesës që SPAK ka paraqitur pranë jush. Sikurse ne do të provojmë me provat që kemi, në momentin që zhvillohet kjo seancë dëgjimi, në Kushtetuese është depozituar kërkesa në 14 dhjetor nga ⅕ e deputetëve për interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës, përsa i takon çështjes së heqjes apo kufizimit të imunitetit të deputetit në çdo kohë, pa e kërkuar dhe pa e marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit. Kjo çështje ka filluar në muajin tetor dhe masa e detyrimit për paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit janë marrë me kërkesë të SPAK drejtuar direkt GJKKO-së. Ne kërkojmë pezullimin e kësaj seance.
Nikolla: Nuk mund të pezullojmë një seancë pa dëgjuar kërkuesit që janë prokurorët e SPAK
Alibeaj: Duke qenë se është kërkesë paraprake është e udhës që të shqyrtohen të gjitha pikat. Unë kam një pyetje për avokatin, kuptoj që ju kërkoni të pezullohet ose shtyhet seanca këtu, duke qenë se keni depozituar kërkesë në kushtetuese. Sipas opinionit tuaj, kërkesa që është depozituar në Kushtetuese, i përket vendimeve të marra nga gjykata më parë, apo këtij rast specifik?
Gjokutaj: Mos ti bjemë njëri gozhdës tjetri patkoit, ne kemi dy muaj që kërkojmë të vijmë këtu, sepse prokurorët kërkojnë që të riparojnë një gabim që kanë bërë vetë.
Çuçi: Nuk ka asnjë bazë për të kërkuar këtë pezullim, ju e shprehët vetë që është në vullnetin tonë për ta bërë këtë gjë. Unë po shoh kërkesën tuaj që keni bërë në Kushtetuese, ku ju kërkoni pezullimin e masave të sigurisë. Ju mund ti kishit kërkuar Kushtetueses këtë që po na kërkoni ne, për të kërkuar pezullimin e procedurave parlamentare. Nuk shoh asnjë arsye që ne të mos e vazhdojmë këtë mbledhje.
Bushka: Në respekt të procedurës, kërkesa do të duhej që të trajtohej në një normë kushtetuese ose ligjore, ne vetëm pak ditë më parë pranuam vendimin e Kushtetueses për pezullimin e procedurave parlamentare për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Por deri para nisjes së mbledhjes Kushtetuesja nuk është shprehur për kërkesën tuaj.
Enkelejd Alibeaj: Bazuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Parlamentit, do të kishte bazë një kërkesë për ta pezulluar deri në pritje të vendimit të Kushtetueses nëse do të kishte një kërkesë për pezullim. Kushtetuesja në këto procedura është e epërme, edhe mbi Kuvendin. Deri më sot nuk ka një vendim të Kushtetueses për të pezulluar këtë procedurë parlamentare për dhënien e autorizimit.
Kërkesa e Gjokutajt kalon në votim, në mesin e atyre që votojnë kundër saj është dhe deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.
/ZËRI