
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar pjesërisht ankimin për masat e sigurisë ndaj tre zyrtarëve, Shkëlzen Ruskës, shef i krimeve në Himarë, Ervis Alisinanajt, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës dhe ish-oficeri i policisë, Erdit Hazizajt.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që goditi një grup kriminal. Ata akuzohen se jepnin informacione për aksionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që trafikantët tu shpëtonin prangave. Grupi ku rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës, 4 shefa të komisariateve të policisë, drejtohet nga Kristo Qirici, i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha), që është dhe vëllai i Edmond Papës, i cili u ekzekutua në Tiranë në dhjetor të vitit 2022.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 09.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 26 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.H., Sh.R., dhe E.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1.Miratimin e Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. E.H.
2.Miratimin pjesërisht të Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. Sh.R. sa i takon disponimit të caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, për dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 284 në lidhje me paragrafin e katërt të nenit 28 dhe me paragrafin e parë të nenit 334 të Kodit Penal dhe veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal.
3.Rrëzimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit ndaj Z. Sh.R. sa i takon veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
4.Miratimin pjesërisht të Vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me personin nën hetim Z. E.A. sa i takon disponimit të caktimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, për dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 284 në lidhje me paragrafin e katërt të nenit 28 dhe me paragrafin e parë të nenit 334 të Kodit Penal dhe veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga paragrafi i dytë i nenit 333/a të Kodit Penal.
5.Rrëzimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit ndaj Z. E.A. sa i takon veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga paragrafi i tretë i nenit 245/1 të Kodit Penal, dhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
6.Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”, njofton GJKKO.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që goditi një grup kriminal dhe të katërt akuzohen se jepnin informacione për aksionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që trafikantët tu shpëtonin prangave. Grupi ku rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës 4 shefat e policisë drejtohet nga Kristo Qirici, i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha), që është dhe vëllai i Edmond Papës, i cili u ekzekutua në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. Papa dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje pas vrasjes të Aleksandër Sadikajt me eksploziv në Tiranë, nipit të Adriatik Kalemit. Të dyja palët rezulton të kenë pasur konflikte prej vitesh. Bashkëdrejtues me Qiricin në këtë grup kriminal rezulton të jetë edhe Eldian Allushi. Në total, ky grup kriminal gjatë periudhës 2019-2021, ka trafikuar rreth 1.7 milionë euro drogë në drejtim të Greqisë. Qirici dhe Allushi për momentin janë vënë nën hetim nga SPAK, bashkë me anëtarët e tjerë të grupit kriminal, si: Xhino Nebi dhe disa të tjerë. E gjithë skema është zbardhur përmes bisedave të gjetura në aplikacionin SKYECC, në të cilin është përmendur dhe një takim mes Ruskës dhe Edmond Papës./ZËRI