Aktualitet

Aksidenti me vdekje në minierën e Martaneshit, arrestohet administratori. Minatori tjetër ende në gjendje kritike

Gentian Peshku është vënë në pranga nën akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë

E.K
Aksidenti me vdekje në minierën e Martaneshit, arrestohet
Viktima Armand Peshku

BULQIZË- Policia ka vënë në pranga shtetasin Gentian Peshku, administrator në minierën ku ndodhi aksidenti i rëndë me pasojë vdekjen e një 29-vjeçari mesditën e djeshme. Si pasojë e rënies së një masivi gurësh, ndërroi jetë 29-vjeçari Armand Peshku, ndërkohë që u plagos rëndë dhe një tjetër minator, i cili ende ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë. Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galëri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë këta 2 shtetas. 

Miniera në fjalë rezulton në pronësi të Ylber Dodës, ndërsa viktima dhe personi i arrestuar janë djem xhaxhallarësh. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një galeri kromi, në fshatin Thekën, Martanesh, ku gjatë procesit të punës, humbi jetën shtetasi A. P., 29 vjeç dhe u dëmtua rëndë shtetasi H. B., 40 vjeç, të dy vagonistë në këtë galeri, ju bëjmë me dije se:

Komisariati i Policisë Bulqizë arrestoi në flagrancë shtetasin G. P., 38 vjeç, banues në Bulqizë, me detyra administrator dhe brigadier në subjektin minerar.

Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galëri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë këta 2 shtetas.

40-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB