
TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi që të ekstradojë në Egjipt 46-vjeçarin Tamer Abdulshafi, që kanosi dhe denigroi gruan e tij në rrjetet sociale. Abdulshafi kërkoi në seancë që të mos dorëzohej tek institucionet egjiptiane. Ai tha se nëse do të ekstradohet në Egjipt, i rrezikohet jeta. Sipas pretendimeve të tij, gruaja e tij tani është martuar me sheik, që ka pushtet dhe i rrezikohet jeta.
“Më rrezikohet jeta atje sepse gruaja ime është martuar me një sheik, njëherazi ministër i kurorës në Kuvajt. Ai ka pushtet dhe do më rrezikojë jetën”, tha 46-vjeçari, raporton TCH.
Mirëpo, deklarata e tij nuk u arrit që të provohet, ndaj gjykata penale, në një proces me dyer të mbyllura, vendosi ekstradimin e shtetasit egjiptian. Prokuroria këmbënguli se nuk ka një certifikatë divorci për 46-vjeçarin, që të mund të krijohen dyshime se bashkëshortja e tij është martuar me dikë tjetër, aq më tepër që ai të ketë pushtet.
Në dosje, për burrin që pretendon se ish-bashkëshortja është martuar me një ministër të kurorës, përmenden fakte penale. Në dosje, thuhet se shtetasi egjiptian e ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij në mënyrë të vazhdueshme.
“Ai përdori internetin dhe mjetet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për të kërcënuar bashkëshorten e tij, viktimën S. S. për të marrë një shumë shumë parash kesh dhe ta frenonte atë të ndërmerrte një akt i cili ishte ngritja e një padie në giykatë kundër tij. Kërcënimi konsiderohet si një shkelje e dinjitetit të saj, abuzim kundrejt nderit të saj, statusit dhe reputacionit në mënyrë të përcaktuar në hetime.
Ai postoi çështje të cilat shkelnin dinjitetin e viktimës së lartpërmendur përmes llogarisë së tij chefmarco _milano77 në rrjetin social Istagram duke u shfaqur në një video duke abuzuar me të dhe thënë “së pari, e rraha Suman për vdekje, një e rrahur për vdekje që prej dy vitesh dhe duhet ta shihte me sytë e saj, sepse ajo kishte zbuluar një sekret familjar dhe sekret të fëmijëve tanë dhe kishte shkelur besimin e sekreteve të shtëpisë, dhe se familja e saj kishte qenë e paaftë ta edukonte atë mirë. Ai e ofendoi viktimën në një mënyrë të tillë, e cila cënonte nderin e saj dhe statusin në një mënyrë jo publike në aplikacionet Instagram dhe ËhatsApp, duke iu drejtuar asaj me fjalë ofenduese. Ai me dashje keqpërdori mjetet e komunikimit telefonik duke kryer krimet në përshkrimet e padive të përmendura më lart, në mënyrën e përcaktuar në hetime”, thuhet në dosje.
Me vendimin e marrë tashmë nga Gjykata e Tiranës, pritet që egjiptiani Tamer Abdulshafi të ekstradohet në vendin e origjinës, Egjipt./ZËRI/