
PRISHTINË – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Afrim Bunjaku, që u vra më 24 shtator në veriun e vendit.
Urdhri i është ndarë familjes së policit gjatë ceremonisë që po mbahet në Prishtinë, në nder të efektivit të rënë në krye të detyrës.
“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i ndaj urdhrin ‘Hero i Kosovës” rreshterit Afrim Bunjaku. Ai ra heroikisht në mbrojtje të vendit”, tha Osmani.
Në këtë mbledhje që po mbahet për rënien e policit Bunjaku po marrin pjesë krerë shtetesh, ambasadorë dhe qytetarë të shumtë.
Afrim Bunjaku u vra nga grupe terroriste më datë 24 shtator 2023 në veriun e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në fjalimin e tij deklaroi se Bunjaku ka punuar me përkushtim të madh në 22 vite për policinë.
“Bunjaku kaloi në detyrë në Zveçan, si mbikëqyrës i njësit patrullues, i cili kreu punën me përgjegjësi deri në rënien e tij. Gjatë punës së tij 22 vjeçare, ka dëshmuar dhe ndihmuar punën për qytetarët, ka qenë shembull, u shpërblye me mirënjohje, e certifikata. La pas vetën bashkëshorten, dy djem dhe një vajzë, të cilët duhet të jenë krenarë me të ashtu siç jemi ne”, tha Kelani.
Vajza e Afrim Bunjakut, Arbenita ka mbajtur një fjalim të ndjerë për babain e saj.
“Heroi im, babai im, sa të vështirë e kam të shkruaj pa ty, babi. Para kohe mbeta jetime. Ikja jote ka lënë plagë të mëdha në shpirtin tim. Nuk e di si do të jetoj pa ty. Shkoj në shtëpi, nuk të gjej dhe është e rëndë për mua. Gjithçka na mësove, por jo sesi të jetojmë pa ty. Të gjithë jemi krenarë me heroizmin tënd”, tha vajza e heroit të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se rreshteri Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës.
Në mbledhjen për nder të policit të vrarë, Sveçla u shpreh se dhimbja për Bunjakun duhet të kthehet në forcë “për punën në sukses dhe në ndërtim të veprës së Afrimit”. /Zëri.ai/
