
HUNGARI- 60 vjeç, por shqiptari dhe djali i tij, kishin ngritur dhe drejtonin grup kriminal që kalonte drogë. Por eksperienca e tyre si "bossa droge" ka marrë fund sot pasi u vendosën në prangat e Byrosë Kombëtare të Hetimit të Policisë së Emergjencave (KR NNI). Babë e bir, drejtonin një grup që merrte drogë nga rajoni i Ballkanit dhe e tregëtonin në Hungari. Në grup, kishin edhe shtetas hungarezë.
Por lëndën narkotike në Hungari e dërgonin korrierë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova; tregtarët hungarezë e shisnin dhe më pas 60-vjeçari, djali i tij apo një grua hungareze e lidhur ngushtë me ta, kthenin paratë pas në Serbi. Dërgesa standarde e grupit nuk shkonte poshtë 10 kilogramë drogë, e kryesisht ishte kanabis. Por edhe kokaina nuk përjashtohej.
Kreu i kësaj bande tashmë ishte dënuar në Hungari me shtatë vjet burg për krime të tjera dhe ishte dëbuar nga ai vend për tetë vjet. Pas dënimit verën e kaluar, ai u zhduk, autoritetet hungareze po e kërkonin dhe kundër tij u lëshua një urdhërarresti ndërkombëtar.
Policia hungareze deklaron se edhe Policia serbe ishte në kërkim të tij pasi dyshohet se është anëtar i një organizate kriminale që kontrabandonte heroinë, kokainë dhe kanabis në Bashkimin Evropian përmes Serbisë. Gjatë bashkëpunimit me policinë serbe, kolegët hungarezë mësuan se N. A. ndoshta ndodhet në Hungari. Për shkak të dyshimit se ai posedon armë, njësia Antiterroriste e Policisë Hungareze është angazhuar dhe e ka arrestuar më 10 nëntor në Budapest./Zëri.ai