
GREQI- Një rrjet kriminal, i specializuar në falsifikimin e dokumenteve me qendër në Athinë, është goditur nga Europoli. Thuajse 5000 dokumente të paligjshme janë gjetur në strehën e grupit kriminal, të cilat përdoreshin për të pajisur emigrantët e parregullt, të cilët donin që të udhëtonin në vendet e Bashkimit Europian.
Hetimi për grupin nisi që në shtator të vitit 2023, për t'u finalizuar sot, pasi janë zbuluar më shumë se 50 raste, kur banda kriminale falsifikonte dokumente, mes tyre edhe shqiptare, të cilat më pas ia dorëzonte klientëve. E gjitha, për vetëm 6000 euro, e madje u përfshinin edhe çmimin e fluturimit. Në pranga kanë përfunduar 11 persona, mes tyre: 3 palestinezë, 3 letonezë, 2 iranianë, 2 sirianë, 1 libanez. Por identiteti i tyre nuk është bërë me dije.

Sipas të dhënave të bëra me dije nga Europol, falsifikatorët ishin të pavarur, por bashkëpunonin me njëri-tjetrin rast pas rasti, kryesisht në shkëmbimin e lëndëve të para ose në përgatitjen e dokumenteve. Por megjithatë ishin të kujdesshëm me klientët e tyre, me të cilët komunikonin vetëm nëpërmjet ndërmjetësve. Kostot e dokumenteve false varionin nga 400 euro deri në 1 200 euro, në varësi të llojit dhe vendit të origjinës, e cila zgjidhej nga klienti. Larmishmëria ishte e madhe, pasi mund të zgjidhje të kishte dokumente shqiptare, belge, hollandeze, daneze, finlandeze, greke, gjermane, italiane, hungareze, sllovene, spanjolle, suedeze, norvegjeze, kolumbiane, apo dhe ukrainase./ZËRI