
MAQEDONI E VERIUT- 14-vjeçarja Vanja Gorçevska (Gjorçevska) u rrëmbye dhe u vra. Gjithçka filloi më 27 nëntor në Shkup, kur nëna e Vanjas denoncoi zhdukjen e vajzës së saj. Pasi mori njoftimin, kërkimi i policisë maqedonase zgjati gati 1 javë, u kontrolluan objektet dhe manastiret e braktisura, madje edhe shtrati i lumit Vardar, por asgjë e re nuk doli. Fatkeqësisht, të dielën erdhi lajmi që të gjithë e kishin frikë.
Policia e gjeti trupin e Vanjës të varrosur në periferi të Shkupit. Shumë shpejt u njoftua se ishin vendosur në pranga 3 persona, ndërsa në kërkim u shpall vrasësi Ljupço Palevski Palço, i njohur edhe si politikan kontrovers i djathtë. Por ai u kap vetëm dje, të martën, në Turqi ku edhe kishte zgjedhur që të arratisej. Megjithatë, pavarësisht informacioneve të shumta, zyrtare dhe jozyrtare, shumë detaje të këtij krimi brutal janë ende një mister. Le ti marrim detajet me radhë...
Misteri 1: Roli i Aleksandrit
Babai i Vanjës, Aleksandri, u arrestua me dyshimin se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij. Sipas informacioneve të deritanishme, ai duhet t'i ketë njoftuar rrëmbyesit se kur Vanja fillonte shkollën, nëse do ishte vetëm, kush e shoqëronte. Pra detaje të vyera për kreun e grupit kriminal "Palça". Ende nuk është përcaktuar nëse ai e dinte që një rrëmbim po planifikohej, apo nëse informacionin e kishte dhënë me vetëdije apo pa vetëdije. Duke qenë se Policia pretendon se shkak i rrëmbimit ka qenë shpërblimi që kjo bandë ka dashur t'i kërkonte nënës së Vanjës, duket qartë se dikush i ka dhënë informacion nga brenda, pra dikush që e dinte se kishin para. Dhe nuk përjashtohet mundësia që këtë ta ketë bërë babai, i cili u divorcua nga mamaja e Vanjës, por që i vizitonte shpesh.
Misteri 2: Pse nuk u kërkua shpërblim?
Nga detajet e hetimit, policia nuk ka dyshim se rrëmbimi është organizuar për të marrë si shpërblim një shumë të konsiderueshme parash nga nëna e Vanjës. Sipas njërit versioni, gjyshi i Vanjës ka qenë drejtor i doganës dhe është një burrë mjaft i pasur, sipas tjetrit, nëna e Vanjës së fundmi ka shitur një apartamenti dhe ka marrë burime të konsiderueshme financiare. Mirëpo, në gjithë këtë histori mbetet e paqartë pse banda që rrëmbeu Vanjën brutalisht, por kurrë nuk e telefonuan nënën e Vanjës dhe nuk i kërkoi shpërblim, por e vranë.
"Të dyshuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanjës së vogël nuk kanë kontaktuar as me nënën e saj për të kërkuar shpërblim. Rrëmbyesit kishin frikë se policia do ta zbulonte planin e tyre,"- tha prokurori Gavrilo Bubevski.
Misteri 3: Çfarë shkoi keq?
Një vajzë 14-vjeçare është vrarë më pak se tre orë pasi është rrëmbyer!? Duke qenë se definitivisht nuk ishte një krim seksual, është e sigurt që vrasja e saj në këtë mënyrë nuk ishte e planifikuar. Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka thënë "se diçka nuk shkoi mirë". Mirëpo, lind pyetja, çfarë ndodhi që rrëmbyesit vranë një vajzë 14-vjeçare për të cilën donin të kërkonin shpërblim? Versioni i paraqitur nga prokurori i shtetit pretendon se rrëmbyesit kishin frikë se mos u zbulohej plani dhe për këtë e 'likuiduan' vajzën, por nuk bind. Disa media maqedonase kanë theksuar informacionin se ata nuk janë kriminelë profesionistë, e se nuk kishin kryer ndonjë krim të ngjashëm, ndaj edhe kanë pasur frikë se çfarë do u ndodhte nëse, për shembull, vogëlushja tentonte të arratisej...
Misteri 4: Cila është lidhja me berberin e vrarë?
Policia maqedonase, në kërkim të adoleshentes së zhdukur, gjeti dy trupa - atë të Vanjës në rrethinën e Shkupit dhe atë të berberity74-vjeçar Panço Zhezovski jo shumë larg Velesit. Më vonë doli se vrasjet e tyre ishin të lidhura (in)direkt dhe se të njëjtët persona dyshoheshin për këto dy krime. Žežovski u raportua i zhdukur më 22 nëntor, 5 ditë para se Vanja të merrej peng me mjetin e vjedhur të viktimës së parë. Sipas një versioni, Zhezovski u vra për shkak të një borxhi prej 500 eurosh.
Vajza e të vrarit ka deklaruar se babai i saj dhe Vanja nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
"As babai im dhe asnjëri prej nesh nuk e njihnin personalisht vajzën. Mund të them se babai im nuk ka qenë kurrë një burrë i pasur, kështu që nuk e di..."
Misteri 5: Kush ishte vrasësi?
Policia identifikoi Ljupča Palevsky Palča si organizatorin kryesor të krimit, një politikan kontrovers të krahut të djathtë që ka krijuar një lëvizje pro-ruse "Desna" në Maqedoninë e Veriut, punon në ndërtim dhe një herë ishte në paraburgim ekstradimi në Beograd për disa muaj, me fletarrest ndërkombëtar nga Kroacia. Ndryshe nga të dyshuarit e tjerë, Palço ishte i vetmi që arriti të arratisej para se të lëshohej një urdhër arresti për të. Ai u arrestua mbrëmë në kufi me Turqinë. Avokati dhe miku i tij Vasko Stojkov pranoi se ai e kishte çuar Palevskyn në Beograd.
"Më kërkoi ta çoja në Beograd sepse nuk kishte automjet. Ai tha se kishte planifikuar disa kontrolle shëndetësore, por unë nuk dija asgjë për vrasjen,"- tha Stojkov, i cili më pas u kthye në Maqedoninë e Veriut.
Tani me arrestimin e kreut të grupit pritet të zbardhen shumë detaje të reja, e mbi të gjitha të mësohet se përse u vra Vanja?/ZËRI