Aktualitet

4 banesa të djegura totalisht/ Si nisi dhe çfarë la pas zjarri i djeshëm në Tiranë (Dyshimet)

Raportimet e para nga vendi i ngjarjes ishin se zjarri ishte shkaktuar nga një pajisje elektrike në katet e fundit, që ishin duplex, por drejtori i zjarrfikësve Shkëlqim Goxhaj, tha se në fakt shkëndija elektrike ishte shkaktuar në katin e dytë

E.K
4 banesa të djegura totalisht/ Si nisi dhe çfarë la pas zjarri
Pamje nga pallati ne flake

TIRANË-  Të paktën 4 banesa janë shkrumbuar totalisht në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët mesditën e djeshme në Tiranë, ndërkohë që dëmet materiale janë të pallogaritshme, edhe për shkak se bëhej fjalë për një investim të vitit 2022 në një zonë preferenciale të kryeqytetit.

Kur kanë kaluar tashmë 20 orë nga nisja e flakëve, grupet e ekspertëve nuk kanë dalë ende në një konkluzion paraprak në lidhje me shkaqet e zjarrit që mbajti të ngërthyer për rreth katër orë punonjës të zjarrfikësve dhe të policisë, por edhe dhjetëra banorë të cilët ishin dëshmitarë të shkrumbimit të pronës së tyre, pa pasur asnjë mundësi për të shuar flakët.

Një pjesë e mirë e banorëve të këtij pallati, e kanë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre, ndërkohë që e gjithë skena është ruajtur nga punonjës të policisë, të cilët kanë vendosur dhe perimetrin e sigurisë, dhe kanë monitoruar çdo hyrje dhe dalje nga banesat.

Shkaqet e zjarrit- Zjarri i cili u përhap fillimisht në katet e fundit të pallatit, përparoi shumë shpejt në katet e mëposhtme, edhe për shkak të fasadës me material polisteroli, që e bën më të lehtë avancimin e flakëve. Raportimet e para nga vendi i ngjarjes ishin se zjarri ishte shkaktuar nga një pajisje elektrike në katet e fundit, që ishin duplex, por drejtori i zjarrfikësve Shkëlqim Goxhaj, tha se në fakt shkëndija elektrike ishte shkaktuar në katin e dytë dhe përmes fasadës kishte avancuar në katet më sipër.

Për të hedhur më shumë dritë në lidhje me shkaqet, në pyetje është marrë administratori i pallatit por edhe mjeku që kishte në pronësi duplexin në katin e fundit, ku vatra e zjarrit ishte më së shumti aktive. Dëmet më të mëdha i kanë pësuar banesat në katin e pestë, për shkak se në momentin e zjarrit dyert dhe dritaret kanë qenë të hapura, pasi banorët i kishin lënë me qëllim ajrosjen.

Pallati 10-katësh ka përfunduar ndërtimin në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj, ndërsa edhe ky i fundit pritet të thirret për t’u marrë në pyetje, në lidhje me materialet e përdorura, pasi sistemi kapot do të duhej të ishte rezistent ndaj zjarrit, gjë e cila nuk rezultoi e tillë gjatë ditës së djeshme.

Përveç 4 banesave të shkrumbuara plotësisht ka dëme të mëdha në në të gjithë fasadën, ndërkohë që një pjesë e mirë e apartamenteve kanë shpëtuar pikërisht prej cilësisë së mirë të dyerve dhe dritareve, që nuk i kanë depërtuar flakët.

Gjatë ditës së sotme pritet dhe të ketë një deklaratë më të plotë në lidhje me shkaqet e zjarrit, që fatmirësisht rezultoi pa dëme në njerëz. Gra, fëmijë, të moshuar, arritën që të dilnin në kohë nga shtëpitë e tyre, padyshim duke lënë pas dëme ende të pallogaritshme në aspektin ekonomik. Disa zjarrfikës u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, pas orëve të gjatë në përballje me flakët,  ndërsa gjendja e tyre tashmë paraqitet e mirë, dhe janë rikthyer pranë familjeve të tyre.

 

Poll

MOS HUMB