Aktualitet

3-vjeçari me HIV, babai: Italia e kuron falas, në Shqipëri nuk na u sigurua terapia

Babai i 3-vjeçarit që familja dyshon se u infektua me HIV në pediatrinë e QSUT-së tregon terapinë që po ndjek djali i tij në shtetin italina, ku është klasifikuar si invalid, dhe merr pension atje. Përveç terapisë falas që nuk iu sigurua në Shqipëri

E.K
3-vjeçari me HIV, babai: Italia e kuron falas, në Shqipëri nuk
Flet babai i 3-vjecari me HIV

TIRANË- Pak kohë më parë në media u publikua lajmi për një të mitur shqiptar të infektuar me HIV-AIDS, ndërsa prindërit e tij akuzonin QSUT, për infektimin e djalit të tyre, teksa kishte qenë i shtruar në reanimacionin e pediatrisë, pasi vuante nga bronkopneumonia.

Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Top Story’, babai i 3-vjeçarit ka zbuluar më shumë për gjendjen e tij, dhe trajtimin që është duke marrë në shtetin italian. Franci tregon se infektimi me HIV është një gjendje shëndetësore e cila është e pakthyeshme, dhe 3-vjeçarit i është lidhur dhe një kontratë invaliditeti në Itali, dhe i gjithë mjekimi është duke iu bërë falas.

Mjekim për të cilin në Shqipëri kishin lëvizur çdo gur dhe nuk iu ishte siguruar nga Ministria e Shëndetësisë. Terapia për një muaj e djalit, ku përfshihen 5 medikamente në ditë kushton 2500 euro. 

Si është ecuria deri tani, si po kurohet, është në një situatë të rikuperueshme të përhershme?

Babai i djalit: Gjendja shëndetësore e tij është e pakthyeshme, sepse nuk ka një kurë definitive për HIV. Ai është klasifikuar si indalid nga ana e autoriteteve italiane. Përveç pensionit ne marrim edhe trajtimin falas në spital. Që në momentin e parë janë bërë të gjitha analizat nga ekspertë të fushës, duke përcaktuar dhe patologjinë e djalit.

Terapia aktuale e djalit varion 2500 euro në muaj, sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk arriti që të siguronte kurrë mjekimin për djalin tim. Ekziston vetëm një kombinim dhe asnjë medicament tjetër. Në momentin që është përcaktuar diagnoza e djalit tim, terapia ka nisur, që ka ngjallur habit e mjekët në Gjermani dhe Itali. Kemi kërkuar me këmbëngulje medikamente, kam bërë kërkesa të panumërta te ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të siguruar medikamentet që na duheshin deri në ditën që ne jemi larguar nga Shqipëria.

Terapia që bën djali tani është intesive?

Babai i djalit: Po, terapia aktuale përfshin 5 medikamente në mëngjes, dhe 2 në darkë. Derisa doktoresha të konstatojë që virusi po mbahet nën kontroll, është në nivele që nuk shkaktojnë problematika të tjera shëndetësore. Ne kemi vizita të vazhdueshme në spital, te doktoresha kemi gjetur një profesioniste që do të duhej të ishte edhe në Shqipëri.

Një përgatitje të tillë profesionale në Shqipëri mungon. Ajo që më ka lënë një shije shumë të keqe është se kur jemi takuar me përfaqësues të ministrisë së shëndetësisë, na kanë thënë se mjekimet i kishin kërkuar kudo dhe nuk i kishin gjetur. Ndërkohë që ne vetë i kishim gjetur në Itali dhe në Greqi.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB