
TIRANË-Dy personat e arrestuar në Shqipëri në kuadër të një hetimi mes Prokurorisë së Firences dhe SPAK. Në pranga janë vendosur Juljan Kollçaku nga Kavaja dhe Maksim Ndoci nga Puka. Për të dy kanë nisur procedurat e ekstradimit të tyre në Itali. Në total janë arrestuar 25 veta, ku 23 janë ndaluar në Itali, në disa rajone të ndryshme të vendit fqinjë. Hetimet për grupin kanë nisur që në vitin 2021 me kapjen e 2 ton drogë që ishin fshehur brenda disa konteinerëve me fruta ekzotikë që vinin nga vendet e Amerikës Latine.
Nga bisedat e anëtarëve të grupit, të cilat janë zbardhur nga çkodimi i aplikacionit “Sky ECC” zbulohet se ngarkesat niseshin dhe zbarkonin në disa nga portet e Italisë. Më të "preferuarat" ishin Livorno, Genova dhe Savona. Por kishte raste që dërgoheshin edhe në porte të tjera të Europës. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, derisa "ekipet e posaçme" shkonin dhe shkarkonin "mallin" për t'ua vënë në dispozicion personave të tjerë që merreshin me shpërndarjen dhe shitjen.
"Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë – nga e cila grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro, si edhe arrestimi në flagrancë i tre prej anëtarëve të këtij grupimi,"-njofton SPAK.
Ndërkohë gjatë operacionit për arrestimin në Shqipëri të dy personave, Policia sekuestroi 20 mijë euro, 52 ora të markave të ndryshme si “Rolex” etj, 1 automjet tip “Audi RSQ8” i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prej tyre “G Pixel”, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera. Po ashtu, me prezencë të agjentëve të Guardia di Financa është kryer dhe kontrolli i 18 banesave të personave të dyshuar një pjesë e mirë rezidentë në Itali por dhe me banim në Shqipëri. Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera ku dyshohet se kanë qenë të bazuara linjat e grupit./ZËRI