
FIER- Gjykata e Fierit ka dënuar një nga katër punonjësit e spitalit që mjekuan plagën e Nuredin Dumanit, për “moskallëzim të krimit”. Dënimi ndaj Bledar Bërdallit u mor më 25 shtator 2024 nga gjyqtarja Klodiana Kryeziu, e cila e deklaroi fajtor atë për akuzën e “moskallëzim të krimit”. Bërdalli u dënua me 2 muaj burg, por ky dënim u zëvendësua me 80 orë punë në interes publik. Sipas gazetarit “Ora News”, Elton Qyno, mjeku Bërdalli duhet të kryejë 80 orë punë në interes publik për një periudhë 6 mujore, nëse ky vendim i shkallës së parë lihet në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Ndërsa për akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës” të ngritur nga prokuroria e Fierit kundër Bledar Bërdallit, ai është shpallur i pafajshëm. Pafajësi kanë marrë dhe tre mjekët e tjerë të spitalit të Fierit Julian Malaj, Ermal Gjeçi dhe Uljan Kapllanaj, të cilët ishin marë të pandehur për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ky vendim do të apelohet në ditët në vijim nga prokurori i çështjes, Petrit Vukaj. Ndërkohë dy muaj para dhënies së këtij vendimi, në Korrik 2024 gjykata e Fierit dënoi me 1 vit e 3 muaj burgim, të dashurën e Nuredin Dumanit, Mirjete Hajdinaj.
Dënimi i saj është bërë për akuzën e “Mbajtjes pa leje të një automatiku”, që policia e sekuestroi pikërisht në banesën ku u arrestua dhe Nuredin Dumani në qytetin e Fierit. Ndërkohë në dosje thuhet se mjeku kirurg, Julian Malaj, infermieri Uljan Kapllanaj dhe dy teknikët e laboratorit, Bledar Bërdalli dhe Ermal Gjeçi, akuzohen për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi shkuan në banesën e të plagosurit dhe i dhanë ndihmën e pare mjekësore.
Pasi ishin larguar nga banesa, asnjë prej tyre nuk e njoftoi Policinë, për personin që kishin kururar. Sipas dosjes hetimore, tre mjekët kanë mohuar akuzat duke treguar se ata kishin shkuar vetëm një herë të vetme në ambientet e shtëpisë, duke mos pasur asnjë informacion mbi identitetin e personit që do mjekonin.
Njëri prej tyre, Bledi Bërdalli, ka treguar se është kontaktuar nga Henrik Hoxhaj, me të cilin ka njohje të mëparshme, i cili i ka paraqitur situatën e një personi të dëmtuar dhe që ndodhej në shtëpi. Bërdalli, ka kontaktuar një infermier dhe një kirurg për të parë plagën dhe vizitonin shokun e Henrik Hoxhaj.
Vizita është bërë në ambientet e një apartamenti në katin e 4 të një pallati në Fier, ku pas mjekimit mjekët nuk i kanë dhënë shpresë Nuredin Dumanit për tu përmirësuar nëse nuk trajtohej në një klinikë mjekësore të specializuar. Dumani u plagos mbrëmjen e 29 marsit 2022, në Papër të Elbasanit, ku edhe iu ngrit pritë nga ai që ishte dikur miku i tij më i ngushtë, Talo Çela.
Nuredin Dumani, kishte mbërritur nga Kosova në Shqipëri për të vrarë Kastriot Kilën dhe Talo Çelën, por në përpjekje për të kapur këta, ai ka rënë në pritë, duke u përballur me breshëritë e kallashnikovit. Por në fakt, gjithçka ishte një kurth i organizuar nga grupi i Talo Çelës, për të eliminuar Dumanin. Por ky i fundit shpëtoi me një plumb afër mushkërisë. Pas plagosjes, Henrik Hoxhaj e çoi në Fier, duke i dërguar edhe mjekët në shtëpi. Disa orë më pas në banesë kanë shkuar policia, duke kryer arrestimin e menjëhershëm të tij. /ZËRI