
BRITANI E MADHE- Dy shqiptarë janë dënuar nga drejtësia britanike pasi organizuan hyrjen e paligjshme të disa emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë ata përdorën kamionë dhe avionë të vegjël. Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja të dy shqiptarët janë dënuar gjithsej me 5 vite e 2 muaj burg.
Myrtez Hilaj, 50 vjeç dhe Kreshnik Kadena, 37 vjeç, u arrestuan pas një hetimi 8-vjeçar. Ata ishin pjesë e një grupi kriminal shqiptar që fshihet pas të paktën 9 udhëtimeve të paligjshme të emigrantëve në vitet 2016 dhe 2017. Tre prej tyre u kryen me një avion të vogël. Hilaj dhe Kadena ndihmuan individët të vendoseshin në vend duke u pajisur me pasaporta të falsifikuara, karta identiteti dhe fatura false të shërbimeve.
Sipas autoriteteve, Hilaj ishte koordinator i grupit kriminal në Mbretërinë e Bashkuar. Kadena shërbente si ndihmës i tij dhe ishte i përfshirë në trafikimin e emigrantëve përmes avionëve. Sipas provave të përftuara nga celularët e tyre, mësohet se ata i “taksonin” emigrantët shqiptarë që donin të hynin në Britani me 10 mijë Paund./ZËRI