
ITALI- Katër shqiptarë kanë përfunduar në pranga në Itali, pasi u kapën duke shitur lëndë narkotike. Mediat italiane raportojnë se karabinierët vunë re qëndrimin e dyshimtë të shqiptarëvë pranë stacionit të trenit San Pietro a Vico dhe u vunë në ndjekje të tyre. Policia ushtroi kontrolle fillimisht në mjetin me të cilin ata lëviznin ku zbuluan një pako me mbi 330 gramë kokainë e fshehur në pako dhurate.
Skema
Të katër shkëmbyen vendet disa herë, duke ecur në një mënyrë të kujdesshme dhe të dyshimtë, dy u larguan dhe takuan një person të pestë, i cili mbërriti me biçikletë dhe më pas iku menjëherë. Gjithmonë me një pako dhurate në dorë,e ngjashme me ato në raste Krishtlindjesh, me zarf të kuq dhe shirit të artë. Pas këtyre lëvizjeve të dyshimta kanë ndërhyrë Karabinierët, duke kontrolluar dy makinat dhe katër pasagjerët.
Të arrestuarit e moshës 23 deri në 42 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare, akuzohen për veprën penale të posedimit me qëllim trafikimin e lëndëve dhe substancave narkotike. Më pas u kryen edhe kontrolle në banesat e shqiptarëve në provincat e Firences dhe Arezzo-s ku u gjetën sasi të tjera hashash dhe marihuanë, peshore precize dhe materiale paketimi./ZËRI