
TIRANË - Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar në lidhje me akuzat e ngritura kundër tij, specifikisht për atë të vjedhjes së fondeve të BE-së. Beqaj shprehet se SASPAC nuk bën tendera. Ai shprehet se SASPAC merret me donacione, duke shtuar se është i gatshëm t'u përballlur me hetimet.
Reagimi i ish-ministrit Ilir Beqaj
Duke u nisur nga keqkuptimet e mëdha të krijuara përmes burimeve të ndryshme të informacionit, e shoh të domosdoshme të informoj opinionin publik se: 1. Saspac nuk menaxhon fonde, nuk bën tendera dhe nuk kryen procese vendimmarrëse, por vetëm koordinon programet me financim të huaj në funksion të qeverisë. Puna e saj si agjenci ka të bëje vetëm me koordinimin e politikave të qeverisë me donacionit nga jashtë vendit.
2. Sa i përket akuzave në lidhje me kompani farmaceutike, dëshiroj të deklaroj se qoftë nga pozita si ministër i Shëndetësisë, qoftë më vonë në detyrat e mia publike, nuk kam pasur dhe nuk kam as sot marrëdhënie interesash ekonomike dhe/ose financiare më asnje prej këtyre kompanive apo pronarët e tyre.
3. Ndërkohe po vazhdoj përballjen time në organet e drejtësisë lidhur me cështjen e sterilizimit dhe më vjen mirë të them se (nëse intepretimet subjektive nuk konsiderohen prova) ende nuk jam njohur me asnjë provë të fajit tim të hamendësuar. Unë vetë e di që një provë e tillë nuk ekziston dhe ai projekt është një nga vendimmarrjet më të mira që janë bërë në shëndetësi, por natyrisht edhe unë jam palë e interesuar, kështu që pafajësia ime është vetëm në duart e gjykatës. Vijoj të mbetem në dispozicion të organeve hetimore për cilindo aspekt të paqartë dhe që kërkon verifikim./ZËRI/