Aktualitet

Vrasje me dashje apo aksident? Kush është avokati Leonard Dingo që u përplas për vdekje në Durrës (DYSHIMET)

Dingo ishtë një person i njohur, i cili ushtronte profesionin e avokatit për çështje penale, civile, administrative dhe familjare.

F.I
Vrasje me dashje apo aksident? Kush është avokati Leonard Dingo
Leonard Dingo

DURRËS-Një aksident tragjik ndodhi më 21 gusht, në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”, ku humbi jetën avokati Leonard Dingo, 63 vjeç. Ndërkohë autori i ngjarjes është identifikuar, por ndodhet ende në arrati. Erjon Kacani është i riu që dyshohet se aksidentoi për vdekje avokatin Leonard Dingo. 22-vjeçari mësohet të jetë një emigrant nga Greqia dhe, pas aksidentit është larguar me shpejtësi nga zona, duke e lënë Dingon të vdekur në vend. Policia e Durrësit në një njoftim të shpërndarë për mediat, thotë se ka gjetur mjetin e braktisur në një fshat pranë qytetit bregdetar dhe ka shpallur në kërkim Kacanin.

Leonard Dingo ishtë një person i njohur, i cili ushtronte profesionin e avokatit për çështje penale, civile, administrative dhe familjare. Profesioni i tij ka ngritur dhe dyshime në lidhje me ngjarjen, ku përveçse vetëm dy ditë pas ngjarjes Policia e Durrës njoftoi aksidentin, kolegët e tij dyshojnë se aksidenti është i qëllimshëm. Sipas avokatëve penalistë, në një deklaratë që kanë lëshuar ditën e sotme, Dingo ka pasur në shqyrtim çështje sensitive, dhe për aksidentin do të duhet që të kishte një hetim më të plotë.

"Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit, Durrës ka ndodhur një aksident me tipare të një krimi, që ende nuk është zbardhur. Avokati i mirënjohur Leonard Dingo ka ndërruar jetë si rrezultat i një aksidenti që ka ndodhur pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 Gusht. Duke ditur çështjet sensitive që mbronte avokat Dingo dyshimet e arsyeshme të drejtojnë përtej një aksidenti të zakonshëm. Sipas burimeve konfidenciale deri tani është gjetur makina që ka bërë aksidentin e braktisur në zonën e Shëna Vlashit, është identifikuar targa dhe rrjedhimisht edhe pronar i makinës, por ajo që do t’i jepte rrugë zbardhjes së aksidentit ende është enigmë. Është kryer një krim dhe asnjë i dyshuar apo i ndaluar!”, thuhet në reagimin e avokatëve penalistë,-thuhet në deklaratë.

Vdekja e avokatit Leonard Dingo ka vënë në lëvizje edhe Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë, e cila ka kërkuar që këtij hetimi t’i shkohet deri ne fund, për të shmangur çdo dyshim dhe keqinterpretim.

REAGIMI:

Nga hetimet paraprake dhe provat e vendngjarjes, Policia ka konkluduar për një aksident rrugor. I ndjeri Dingo ishte 63 vjeç me profesion avokat dhe anëtar i Dhomës së Avokatisë Durrës. Kreu i Dhomës Prof Doktor Maksim Haxhia ka marrë kontakt direkt me Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Drejtorin Vendore Durrës me drejtuesin Skënder Hitaj. Si drejtues dhe në emër të Dhomës, Profesor Haxhia ka kërkuar zbardhjen e veprës penale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit. Nga ana tjetër, në emër të Policisë, z. Hitaj ka garantuar se po punohet intensivisht për kapjen e autorit të dyshuar, i identifikuar si një 23-vjeçar emigrant. Në emër të të gjithë kolegëve, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjes Dingo.

Nuk dihet ende nëse i riu ka qenë klient i avokatit, apo të afërmit e tij kishin ndonjë çështje e cila i lidhte me të ndjerin. Por në njoftimin e dhënë nga Policia e Durrësit 48 orë nga aksidenti, nuk specifikohet profesioni i 63-vjeçarit dhe nuk jepen detaje.

Njoftimi i Policisë:

Aksidentoi 2 ditë më parë, në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”, një 63-vjeçar, me pasojë vdekjen, dhe u largua nga vendi i aksidentit, Policia identifikon drejtuesin e automjetit dhe vijon punën për kapjen e tij. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera menjëherë pas aksidentit rrugor të ndodhur rreth orës 01:00, të datës 21.08.2024, në aksin dytësor “Plepa-Kavajë”, ku u përplas me automjet shtetasi L. D., 63 vjeç, i cili si pasojë humbi jetën, në vendngjarje, Policia Rrugore identifikoi dhe shpalli në kërkim drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasin E. K., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Përpos njoftimit zyrtar edhe pse kanë kaluar disa orë nuk ka ende një përgjigje për akuzat e ngritura nga kolegët e avokatit apo nëse ka një hetim të dytë për vrasje./ZËRI

Poll

MOS HUMB