Aktualitet

Vrasjet e grave me..."klering"

ZËRI do ndalet në histori ku jeta e grave të tjera është prerë në rrethana të ngjashme, në mos identike me ato të Liridonës.

Fjola Graçi
Vrasjet e grave me..."klering"
Viktimat e bashkëshortëve dhe kryeredaktorja e ZËRI, Fjola Graçi

TIRANË- Liridona Ademaj u vra me porosi të bashkëshortit të saj. Versioni më i përafërt i hetuesve është se Naim Murseli e donte të vrarë bashkëshorten e tij, me qëllim përfitimin e një sasie prej 20 milionë euro, para që do të rridhnin nga sigurimi i saj shëndetësor, në rast se Liridona do të humbiste jetën. Me një zhvarrosje pas zbulimit të aktit makabër, Liridona tashmë është në banesën e fundit, edhe pse jo e vetmja. Përpara saj, gra të tjera kanë patur të njëjtin fat.

Sot ZËRI do të ndalet pikërisht te këto histori, ku jeta e grave të tjera është prerë në rrethana të ngjashme, në mos identike me ato të Liridonës.

Pakkush e mban mend se Eleni Basho, me profesion farmaciste do të vritej më 2 shkurt 2012. Ajo ishte duke u kthyer nga puna për në shtëpi, kur një person i doli përpara duke e vrarë me armë zjarri. 22 ditë më pas, i shoqi i saj, Ilia Basho u arrestua nga Policia.

Paraprakisht ngjarja ishte raportuar si grabitje dhe pistat e hetimit ishin dy. E para se Eleni kishte zbuluar një lidhje jashtë martesore të Ilias me një grua tjetër dhe pista e dytë se çifti kishte problem për ndarjen e bizneseve pas divorcit. Hetimet asokohe zbuluan edhe mesazhet e Ilias për të dashurën e tij por sërish asgjë nuk u zbulua.

Në vitin 2000, Erjeta Avdyli, ish punonjëse e UNICEF u zhduk pa asnjë gjurmë. Prindërit e saj, fajësuan ish-bashkëshortin e saj, Dritanin, pasi sipas tyre po i merrte frymën çdo ditë. Dritan Avdyli, asokohe një njeri me pushtet dhe shef i komisariatit nr.1 në Tiranë u arrestua por hetimi për këtë ngjarje, nuk ishte i lehtë. Erjeta, ditën që është zhdukur ka qenë me një veshje tjeter, ndërsa ditën që ishte gjetur trupi kishte veshur rroba të tjera. Fillimisht u mendua se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortit të saj ku edhe ishte ndërruar, do të merrte librat e të birit për tu kthyer te prindërit e saj, por ky version nuk u provua.

Edhe Erieta, ashtu si Liridona apo Eleni prej kohësh ishte përgatitur për të kërkuar divorcin për shkak të dhunës që po i ushtrohej. Por njësoj si të dyja, fundi i saj do të ishte i tmerrshëm. Trupin ia gjetën në Romanat të Durrësit, të groposur në anë të rrugës. Atje iu mbyll jeta, e po ashtu, edhe dosja. Pa një autor për zhdukjen e saj. Erieta e dinte fundin e saj. Në një letër të dërguar për bashkëshortin e saj, Dritanin, ndër rreshta “bërtasin” fjalët: Më lër të jetoj!

Po kaq e trishtë është edhe historia e Irena Selit. E zhdukur për më shumë se një dekadë, Irena Seli u pa për herë të fundit teksa hipte në tragetin e linjës Trieste-Durrës, më datën 15 dhjetor 2004. Por Irena nuk zbriti më kurrë nga ai traget. Ajo ishte duke udhëtuar bashkë me bashkëshortin e saj, Agim Musha, me të cilin ishte raportuar se kishte goxha përplasje në kohën përpara se të zhdukej. Dhe nga mesdita e 15 dhjetorit 2004, askush nuk e pa më Irenën.

Histori të ndryshme kishin nisur të raportoheshin në media se Irena ishte larguar drejt SHBA dhe e kishte braktisur me dashje bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Por deri më sot, asnjë nga këto skenarë nuk është provuar. Irena Seli është zhdukur! E përbashkëta e këtyre historive risjellë sot në kohën kur një grua është vrarë me porosi të të shoqit, ngre një tjetër çështje madhore për kohën që jetojmë. Dhunën moderne dhe dobësinë e gruas në një shoqëri gjithmonë e e më shumë maskiliste./ZËRI

Poll

MOS HUMB