Aktualitet

Zogjtë e ngordhur në plazhin e Vlorës, analizat: Të prekur nga gripi i shpendëve

Burime nga autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se ky grip është identifikuar tek shpendët e ujit ose të egra, por deri tani nuk ka pasur raportime për kontakt me shpendët shtepiakë.

F.I
Zogjtë e ngordhur në plazhin e Vlorës, analizat: Të prekur
zogjtë e ngordhur

VLORË- Në datën 5 janar 2025, u konstatuan dhjetëra shpendë të ngordhur në plazhin e Vjetër në qytetin e Vlorës. Zogjtë e ngordhur kanë rezultuar të prekur me gripin e shpendëve. Rezultati i analizave është publikuar ditën e sotme.

Është njoftuar Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për komunikim të hershëm të rasteve të dyshuara midis institucioneve. Ministria e Bujqësisë i bën thirrje fermerëve të rrisin vigjilencën, të zbatojnë masat e biosigurisë dhe ato veterinaro-sanitare për të ulur riskun e përparimit të infeksionit në shpendët e mbarështimit.

Burime nga autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se ky grip është identifikuar tek shpendët e ujit ose të egra, por deri tani nuk ka pasur raportime për kontakt me shpendët shtepiakë. Është një virus qe gjendet te shpendët e egra por që rrezikon shpendët shtëpiake, dhe pas këtyre virusi mund të transmetohet dhe tek njerëzit. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po marrin masa për parandalimin e përhapjes së mundshme të sëmundjes.

Një vatër e gripit të shpendëve është zbuluar edhe në fshatin Mëzez në Tiranë. Nga data 30 tetor, fermerëve iu është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz. Gjithashtu është ndaluar edhe shitja apo tregtimi i shpendëve të gjallë nëpër tregje. 

Çfarë është gripi i shpendëve?

Gripi i shpendëve, është një infeksion viral që mund të infektojë jo vetëm zogjtë, por edhe njerëzit dhe kafshët e tjera. Shumica e formave të virusit janë të kufizuara te zogjtë. H5N1 është forma më e zakonshme e gripit të shpendëve. Është vdekjeprurëse për zogjtë dhe mund të prekë lehtësisht njerëzit dhe kafshët e tjera që vijnë në kontakt me një transportues të saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB