FIER- Dy vatra zjarri të përmasave të mëdha janë përhapur me shpejtësi mëngjesin e sotëm në Fier.
Policia njofton se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen në flagrancë të dy autorëve të dyshuar në vendngjarje, të cilët ndezën vatrat e zjarrit në fshatrat Varibop dhe Fermë Rroms.
Dy autorët ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore për të djegur mbetjet bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke u përhapur në sipërfaqe të mëdha. Zjarret kanë përfshirë shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, ndërsa rrezikohen edhe banesat pranë këtyre dy fshatrave.
58-vjeçari, i cili u kap pranë vatrës së zjarrit në Varibop u arrestua nga forcat e policisë, ndërsa 78-vjeçarja, e cila ndezi zjarrin pranë banesës së saj në fshatin Fermë Rroms është proceduarpenalisht në gjendje të lirë.
Policia dhe forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje për të bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.
Njoftimi i Policisë:
Ndezën zjarr në tokat e tyre bujqësore për djegien e mbetjeve bimore, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ullinj dhe bimësi të ndryshme, si dhe duke rrezikuar banesa pranë zonave të prekura.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, brenda pak orësh bënë të mundur identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të dy shtetasve, autorë të dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në fshatra të ndryshëm të qarkut Fier.
Autorët e dyshuar u konstatuan dhe u kapën në flagrancë pranë vatrave të zjarrit që kishin ndezur.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Varibop, Fier, pasi u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në tokën e marrë me qira prej tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, ky shtetas kundërshtoi punonjësit e Policisë.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen F. P., 78 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Rroms, Fier, e cila u kap pranë vatrës së zjarrit që kishte ndezur në afërsi të banesës së saj.
Nga veprimet hetimore paraprake rezulton se zjarret e ndezura prej tyre për djegien e mbetjeve bimore u përhapën në sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar dëme në bimësi dhe pemë frutore, si dhe duke rrezikuar banesat në afërsi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për çdo qëllim tjetër, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke u garantuar anonimat, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
/ZËRI