
VLORË- Një zjarr ka rënë pasditen e djeshme në Ksamil. Flakët e zjarrit janë shumë afër banesave dhe hoteleve, ndaj zjarrfikësit kanë mbërritur në terren dhe po punojnë për shuarjen e zjarreve. Zjarri i aktivizuar në orën 19.30 të pasdites së djeshme, vazhdon që të jetë aktiv deri më tani. Ndërkohë, një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në fshatin Çukë, duke marrë përmasa të mëdha drejt zonës malore të Metoqit. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të thyer.
Ndaj për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore në këtë zonë, shuarja e zjarrit po bëhet me kova dhe krahë nga zjarrfikësit. Në aksionin për shuarjen e zjarrit po marrin pjesë edhe banorë të Ksamilit, por ende nuk ia kanë dalë me sukses.
Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë pamjet e kapura nga dronët "Bayraktar" në zonat e prekura nga zjarret në jug të vendit.
PAMJET ME DRON:
View this post on Instagram
"Në kuadër të përballimit të situatës së zjarreve në jug të vendit, Forca Ajrore ka intensifikuar monitorimin ajror me dronë, duke garantuar vëzhgim të pandërprerë ditën dhe natën mbi zonat më të rrezikuara nga flakët.Përmes këtij monitorimi të avancuar, Forca Ajrore po kontribuon në mënyrë vendimtare për menaxhimin efikas të situatës emergjente, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, pasuritë dhe mjedisin,"-shkruan Ministria.
Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, 8 vatra zjarri, të cilat janë izoluar të gjitha. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit thirrjen për qytetarët, të bëjnë kujdes në këto ditë me temperatura të larta dhe të njoftojnë në çdo rast kur vërejnë një vatër zjarri./ZËRI