
TIRANË-Gazetarja Klodiana Lala ka folur sërish për skandalin e mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme të Kurum, skandal i cili duket se po mbulohet, ndërkohë që mbetjet mbahen në Porto Romano dhe ende nuk janë dërguar për analiza. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja tha se ka një përpjekje për të “varrosur” çështjen. Lala u shpreh se investigimi i BIRN tregonte se Kurum ka eksportuar një sasi shumë të madhe mbetjesh. Më tej gazetarja tha se të gjitha institucionet ia kanë futur 'gjumit' dhe duan ta 'varrosin' çështjen.
"Kontejnerët që dyshohet se përmbajnë lëndë toksike janë vendosur në Porto Romano. Investigimi i BIRN tregonte se Kurum ka eksportuar një sasi shumë të madhe mbetjesh. Nëse mbani mend, kemi ngritur këtë shqetësim se çfarë ka ndodhur me mbetjet e rrezikshme të Kurum? Nuk kishte transparencë. Çfarë na rezulton? Kjo kompani ka eksportuar jashtë vendit nën hundën e autoriteteve shqiptare. Është një zinxhir institucionesh të korruptuara. Ne nuk kemi asnjë evidencë apo transparencë se çfarë po ndodh me shëndetin e shqiptarëve dhe ku kanë përfunduar mbetjet. Mund të jenë edhe dhjetëra apo qindra ton që nuk dihet se ku mbahen. Ajo që duhet të shqetësojë shtetin, është fakti që 102 kontejnerët janë vendousr në Porto Romano dhe nuk janë marrë mostrat për analizat. Shteti duhet të vepronte me urgjencë, ka dëmtim serioz të shëndetit po mbahen në kushte të papërshtatshme. Nuk e dimë efektet negative që mund të sjellë në popullatë. Të gjitha institucionet ia kanë futur gjumit dhe duan ta varrosin çështjen. Mostrat duhet të merreshin me urgjencë dhe të ishte përcaktuar qartë se çfarë ka ndodhur. Pse nuk ka inspektim ndaj Kurum? Sa ton ka prodhuar mbetjet të rrezikshme? Të gjithë çfarë po bëjnë? Kanë mbyllur gojën, nën influenca, ndërsa shteti do ta mbyllë. Ia kanë lënë në derë prokurorisë",-tha Lala.
Si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t'u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si "oksid hekuri" një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se "informacioni mund t'u jepet vetëm klientëve". Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës "Kurum" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI