
TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka qenë i pranishëm në Spitalin e Traumës në momentin kur ka mbërritur efektivi i plagosur gjatë ngjarjes në Maliq.
Hita ka deklaruar se Policia e Shtetit humbi një nga shërbëtorët e saj, ndërsa një tjetër punonjës policie ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr ndihmë mjekësore.
“Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj, në shërbim të qytetarëve. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmë mjekësore. Edhe personi në kërkim gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos dhe është në spitalin e Korçës. Është vërtet një ngjarje nga ato të cilat të lënë pa fjalë, ku nuk do doja të isha para jush. Hetimet kanë filluar, i kam autorizuar të nisen drejt Korçës. Do largohem drejt Korçës dhe do keni njoftim më zyrtar”, tha Hita.
Ndërkohë mjekja që ka marrë në kujdes efektivin e plagosur në spitalin e Korçës ka deklaruar se pacienti është intubuar dhe është futur menjëherë në bllokun operator për vlerësim.
“Pacienti është pritur në spitalin e Korçës, është intubuar. U fut menjëherë në bllokun operator dhe po vlerësohet. Do themi më shumë për ecurinë në vijim, po bëhet maksimumi. Ka lëndime në pjesën e qafës dhe kokës”, tha mjekja.
36-vjeçari Edison Adri, efektivi i 'Shqiponjave' që mbeti i plagosur gjatë aksionit në Maliq, ka mbërritur pak minuta më parë te Trauma në Tiranë. Fillimisht ai ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Korçës, por më pas ëshë transportuar drejt Traumës për mjekim të specializuar./ZËRI