
SHKODËR-Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 14.10.2024, ku Klodian Kolbuçaj qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin e rij, 15-vjeçarin, Emiljan Gjoni. Autori i ngjarjes Klodian Kolbuçaj është dërguar për gjykim për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’.
NJOFTIMI:
Prokuroria Shkodër mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin e mitur K.K. për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq të miturin në konflikt me ligjin, shtetasin K.K për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79, gërma “a” e Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në kuadër të procedimit penal nr.1538, të vitit 2024, u arrit të provohet se, në datën 14.10.2024, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur lagjja “Skënderbeg”, rruga “Ing.Gjovalin Gjadri”, të qytetit të Shkodrës, i mituri në konflikt me ligjin K.K, pas një konflikti për motive të dobëta me të miturin E.Gj, e ka qëlluar këtë të fundit me një send prerës shpues, thikë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit të personit.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku i mituri u qëllua për vdekje me thikë gjatë një konflikti për motive të dobëta në zonën e Fermentimit. Emiljano Gjoni ndërroi jetë në spital, për shkak të plagës që mori në zemër. Në pranga ka përfundoi autori Klodian Kolbuçaj, i cili pretendon se viktima e kishte plagosur në sup, ndaj ai i kishte marrë thikën nga dora dhe e kishte goditur. Kolbuçaj ka thënë në polici se njihej me viktimën dhe se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje mes tyre./ZËRI