TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu seancën për shqyrtimin e ankimit të SPAK, ku Prokuroria kundërshtoi vendimin e pafajësisë për Erlis Dukën, lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Mbrojtja e Dukës pretendoi se klienti i tyre nuk ishte njoftuar sipas kërkesave ligjore, edhe pse avokatët e tij ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e shqyrtimit të çështjes.
Në janar të këtij viti Gjykata e Posaçme dha dënimin me 130 vite burg për të akuzuarit e vrasjes së Santiago Malkos. GJKKO dënoi me 30 vite burg Leonard Dukën, ndërsa shpalli të pafajshëm vëllanë e tij, Erlis Duka. Ndërkohë që Gjykata ka dënuar në mungesë me nga 25 vite burg 4 të pandehurit e tjerë, Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Dritan Agajn dhe Oltian Logën.
I dënuar me vendim të formës së prerë për vrasjen e Santiago Malkos, është edhe Ilir Selmani. Vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe u rikthye për gjykim në Apel nga një tjetër trupë gjykuese e cila vetëm para disa ditësh e dënoi me 28 vite burg. Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë. Sipas hetimeve të SPAK vrasja e ish-policit u planifikua nga Leonard Duka, vëllai i tij Erlis Duka dhe një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica dhe Bledar Teta. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë)./ZËRI
