Aktualitet

Katër herë tritol banesës së Arben Turkut në Lushnje/ Dëshmojnë Altin Lamçe dhe bashkëshortja: S'kemi konflikte me njeri

Vëllezërit e bashkëshortes së Lamçes, sipas dëshmisë, jetojnë prej vitesh jashtë vendit dhe kthehen herë pas here në Shqipëri, ndërsa familja nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të tyre.

F.I
Katër herë tritol banesës së Arben Turkut në Lushnje/
PAMJE NGA VENDNGJARJA

LUSHNJE-Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar seanca gjyqësore ndaj grupit të Laert Haxhiut. Në seancë ishin edhe Altin Lamçe dhe bashkëshortja e tij, të cilët kanë dëshmuar për vendosjen e tritolit në banesën e Arben Turkut në Lushnjë, ku ata jetonin bashkë me familjen. Banesa e tij ka qenë objekt i katër shpërthimeve të ndryshme me lëndë plasëse, por edhe sot autorët dhe motivet kanë mbetur të pazbardhura.

Bashkëshortja e Lamçes deklaroi se familja ka diskutuar për ngjarjet me vëllezërit e saj, mes tyre edhe Arben Turkun, të cilët jetojnë në Angli, por nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt apo problem të tyre me persona të tjerë. Edhe Altin Lamçe  shtoi se nuk kishte pasur konflikte personale dhe se as bashkëshortja, fëmijët apo familjarët e saj nuk kishin probleme me persona të tjerë.

Vëllezërit e bashkëshortes së Lamçes, sipas dëshmisë, jetojnë prej vitesh jashtë vendit dhe kthehen herë pas here në Shqipëri, ndërsa familja nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të tyre. Dy shpërthimet e para u regjistruan më 2022, ku i dyti ndodhi natën e Vitit të Ri. Një vit më pas banesës iu vendos sërish tritol, ku ndryshe nga herët e tjera, Arben Turku ndodhej vetë brenda në shtëpi gjatë shpërthimit. Shpërthimi i katërt ndodhi në dhjetor të vitit 2023.

Bashkëshortja e Altin Lamçe: Po, në banesën tonë është vendosur një sasi tritoli. Katër herë është vendosur tritol, e para në nëntor 2022, pastaj në 31 dhjetor të atij viti, kanë qenë dhe dy episode të tjera që nuk më kujtohen tani datat. Diku në prill ose shtator – tetor me duket 2023. Për rastet ka ardhur policia, është marrë prokurori, janë bërë të gjitha. Në nëntor 2022, ne ishim në banesë, unë isha me mamanë, bashkëshortin dhe dy fëmijët. Nuk pati lëndime, vetëm dëme materiale. Ka qenë darkë kur ka shpërthyer sasia plasëse, ne ishim zgjuar të gjithë. Herën e parë menduam se ishte ngatërrim banese ose personi, pastaj kur ndodhi herën e dytë në 31 tetor 2022 ishim po ne në banesë. Unë kam tre vëllezër, mes tyre edhe Arben Turku, jetojnë në Angli. Folëm me ta për ngjarjen, asnjëri nuk dyshonte diçka. Probleme me ligjin nuk kishin as në Shqipëri, as jashtë. Borxhe nuk kishin, mesa dimë ne.

Dëshmon Altin Lamçe: Patjetër që jam në dijeni të ngjarjes, sepse jetoj në banesën e vjehrrës time. Shpërthimin e kemi dëgjuar, kemi qenë brenda. Herën e parë ndodhi në darkë dhe erdhi policia bëri procedurat. Ka ndodhur 4 herë, nuk me kujtohen vitet. Tre djemtë e vjehrrës jetojnë jashtë, kanë mbi 20 vite. Kur vijnë akomodohen aty, është shtëpia e tyre. Vëllezërit e gruas vijnë herë pas here në Shqipëri, nuk di të kenë probleme. Nuk u lëndua askush fatmirësisht, por ka patur dëme materiale. Herën e dytë ndodhi natën e vitit të ri, ishim të gjithë në banesë. Shpërtheu tritoli, të njëtat dëme materiale dhe u kryen të njëjtat procedura nga policia. Komshinjtë erdhën të gjithë. Unë herën e dytë shkova në spital. Rastet nuk i lidha me diçka, unë nuk kam patur konflikte apo probleme me dikë. As bashkëshortja, fëmijet e mi apo vjehrra. As vëllezërit e gruas nuk kishin konflikte me njeri. Biseduam për ngjarjen, por dalim në konkuzionin që nuk kemi probleme me njeri.

Poll

MOS HUMB