
TIRANË-Është zbardhur biseda e fundit e palestinezes, Rayyan Alwan, e cila u vra nga babai i saj në Tiranë. Personi i fundit që ka folur me 24-vjeçaren ka qenë i dashuri i saj libanez që e njohu në Gjermani. Ai punonte në një supermarket në Gjermani pranë restorantit ku punonte Rayan.
Në bisedën e zhvilluar siguruar nga BW, Alwan njofton të dashurin e saj se ndodhet në aeroport dhe nuk ka mundur të flasë me të pasi ka qëndruar nga e ëma. Kjo e fundit madje i ka kërkuar vajzës të largohet. Në një mesazh të fundit Alwan le të kuptohet se nuk e dinte a do të kthehej sërish në Gjermani, ku shprehet me fjalët: Kontrollo numrin e telefonit në rast se vij.

18 shkurt 2024 ora 18:41
I dashuri: Rayyan? Jam akoma këtu.
Ora: 19:03 Thirrje telefonike-4 minuta bisedë.
19 shkurt 2024
Ora: 09:17
I dashuri: Nuk u ktheve për t’u qetësuar për atë që ndodhi. Çfarë ndodhi me ty mbrëmë? Nuk më more më mbrapsht në telefon.
Ora: 09:34- Thirrje e humbur
Ora: 09:34
Rayyan: Dashuria ime, jam në aeroport tani.Të lutem kujdesu për veten. Nuk mund të flisja me ty dje sepse mami donte që të shkoja te ajo dhe të largohem. Kam fjetur në shtëpinë e saj.
Ora: 09:35
Rayyan: Kontrollo numrin e telefonit në rast se vij.
Ora: 09:46
I dashuri: Diçka si, çfarë?
Rayyan Alwan dhe Fadi Alwan mbërritën si turistë në Rinas më 19 shkurt. Po atë ditë dyshja kishin marrë banesën me qira ku edhe ndodhi krimi. Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes, Fadi Alwan është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit. 49-vjeçari palestinez, dyshohet se fillimisht e ka dhunuar dhe më pas e ka vrarë me thikë, duke e mbuluar me një çarçaf. Dyshohet se ai ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë e më pas në Holandë, ndërsa dyshohet se fshihet në Liban. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e policive europiane për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar./ZËRI