TIRANË- Një tjetër reagim për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në ambientet e Gjykatës së Apelit, ka ardhur edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së paprecedentë të gjyqtarit Kalaja. Sipas SPAK, krimi brenda tempullit të drejtësisë, duhet të shërbejë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.
Reagimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës. Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), ka reaguar për vrasjen e gjyqtari Astrit Kalaja, duke e konsideruar atentatin një sulm ndaj Kushtetutës. KLP shprehet se vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm. Në reagim, KLP shpreh ngushëllime për familjen dhe solidaritetin e plotë për trupën e drejtësisë.
Reagimi:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë gjithashtu ka reaguar duke shprehur tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës. Në regim, ILD shhprehet se tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.
Reagimi i ILD:
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë.
Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik.
Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Ne institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit.
Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur këtë të hënë, në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Unioni e ka cilësuar një akt barbar, që përbën sulmin më të egër e të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, ndaj jetës e integritetit të gjyqtarëve, si dhe ndaj vetë rendit kushtetues të shtetit të së drejtës.
Reagimi i plotë:
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh tronditjen e thellë dhe dhimbjen e madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ku një koleg ynë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, humbi jetën në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri, në sallë të gjyqit, nga një palë në një çështje civile, e cila plagosi dhe babë e bir nga pala tjetër ndërgjyqëse.
Ky akt barbar përbën sulmin më të egër e të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, ndaj jetës e integritetit të gjyqtarëve, si dhe ndaj vetë rendit kushtetues të shtetit të së drejtës.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve gjyqtarë, duke u gjendur pranë tyre në këtë moment të rëndë humbjeje e tronditjeje të thellë për gjithë trupën gjyqësore.
Ngjarja e sotme është një sinjal alarmi i qartë për mungesën e masave të duhura të sigurisë në gjykata dhe për rrezikun real, me të cilin përballen gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.
Kjo ngjarje e rëndë ndodh në një klimë të përhershme armiqësore ndaj sistemit gjyqësor, e cila prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri.
Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë u bën thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.
Në nderim të kolegut tonë të ndjerë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë do të vijojë të kërkojë me forcë respektimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo gjyqtari, që shërben me integritet për drejtësinë dhe shoqërinë.
Gjithashtu, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë siguron të gjithë publikun se, diskursi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.