TIRANË- Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për Rubens Saraivën, portugezin e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në 2023. Mësohet se në sallën e gjyqit janë të pranishëm edhe familjarë të Nikulajt, ndërsa seanca është shoqëruar me debate mes palëve.
Gjatë diskutimeve, mbrojtja e Saraivës ka ngritur pretendime për cenim të të drejtave procedurale të klientit të saj. Sipas avokatit, portugezi nuk është njohur me aktet e çështjes në një gjuhë që kupton.
Debatet në sallë:
Avokati Cakrani: Asnjë akt procedural nuk i është paraqitur të pandehurit në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht. Që në fazën e hetimit dhe gjatë gjykimit në shkallën e parë, i janë cenuar të gjitha të drejtat.
Rubens Saraiva: Unë nuk jam njohur me asnjë dokument.
Prokuroria: I pandehuri duhet të jetë njohur me ankimin. Avokati duhet t’ia kishte vendosur në dispozicion në gjuhën angleze dhe portugeze, që të njihet me ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë.
Prokurorja Balla: Së pari, i pandehuri duhet të njihet dhe të qartësohet me ankimin dhe më pas të diskutohen çështjet e tjera. Duhet t’i njihet ankimi.
Gjykata: A ia keni vënë në dispozicion ankimin të pandehurit? A e keni vënë në dijeni që është bërë ankim?
Avokati Cakrani: Unë nuk e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes.
Më 25 mars të këtij viti, Gjykata e Lezhës e dënoi Saraivën me burgim të përjetshëm për akuzën e “vrasjes me paramendim”, të kryer në bashkëpunim dhe për interes.
Si ndodhi vrasja?
Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë: Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit, arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023./ZËRI
