Aktualitet

Vlora edhe sot nën ujë, nis aksioni për 'pastrimin' e garazheve nëpër pallate

Në fokus do të jetë lagja "Kushtrimi", ku situata shfaqet më e vështirë. Deri më tani, ende nuk ka një bilanc të dëmeve që ka shkaktuar shiu në qytet.

k.m.
Vlora edhe sot nën ujë, nis aksioni për 'pastrimin' e
Vlorë

VLORË- Edhe sot, Vlora është nën ujë! Gjatë gjithë ditës së sotme, në terren sot do të punohet me garazhet e pallateve të qytetit.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha se sot në terren ka nisur ndërhyrja në 9 garazhde të qyteti për të nxjerrë ujin. Më pas, do të bëhet edhe përllogaritja e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja. Në fokus do të jetë lagja "Kushtrimi", ku situata shfaqet më e vështirë. Deri më tani, ende nuk ka një bilanc të dëmeve që ka shkaktuar shiu në qytet.

"Uji ka ikur nga lagjet, ndërsa problematikë mbeten garazhet ku dhjetëra makina janë të përmbytura. Ndërkohë bashkia ka bërë planin për të ndërhyrë në garazhet e pallateve. Problematikë mbeten garazhet e pallatave. Kemi bërë një strategji të qartë si do të operojmë për garazhet e pallateve. Janë 9 në total garazhe pallatet që do të ndërhyjmë,”- tha kryetari i bashkisë.

Një përditësim më të plotë të situatës ka dhënë Ministria e Mbrojtjes. Sipas MM, situata në qytetin e Vlorës është përmirësuar ndjeshëm pas problematikave që sollën reshjet intensive të shiut dhe se tashmë të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët. Sa i përket tharjes së garazheve, Ministria njoftoi se në ndihmë të bashkisë Vlorë, janë angazhuar 31 efektivë të FA me 10 mjete transporti dhe 8 motopompa me kapacitete të ndryshme.

Sipas porosisë së lënë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturë, po ashtu është kontaktuar me strukturat lokale për të evidentuar sa më shpejt sipërfaqen e përmbytur, banesat, bizneset, objektet shtetërore, shkollat, objektet kulturore, qendrat shëndetësore, rrugët, automjetet dhe çdo infrastrukturë tjetër të prekur. Qytetarët që folën për kamerat e mediave ditën e djeshme, folën për miliona euro dëm si në biznese, ashtu edhe në banesat e tyre, shumë prej të cilave ishin "pushtuar" nga shiu. Gjithsej, nga zonat me rrezik të lartë u evakuuan 33 familje, me 55 anëtarë.

Ndërkohë që problem është ende hidrovori i qytetit. Një prej katër pompave të hidrovorit u dogj dje, duke bërë që i gjithë sistemi të pushonte. Edhe pse në luftë me ujin, dje nuk munguan as reagimet politike. Partia Demokratike e degës Vlorë, kërkoi nga Prokuroria e qarkut që të hetonte menaxhimin e Bashkisë, duke ngritur dyshime se nuk ishin marrë masat e duhura për të përballuar situatën.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Dredha u shpreh se situata ishte e jashtëzakonshme, pasi për 3 orë, ra shi sa për  thuajse 2 muaj. Edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu u shpreh se në një moment të dytë do të duhet të analizohet menaxhimi i situatës, ndërsa drejtuesi i politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Bledi Çuçi njoftoi se shumë shpejt do të nisë një verifikimin për të gjetur se çfarë nuk shkoi siç duhet. 

"Mësimet që morëm, sidomos në zonat informale, ku ka munguar urbanizimi, kryetari i bashkisë do aprovojë ndërhyrjet, për të pastruar sidomos ato ndërtimet pa leje mbi kolektorë që janë çmenduri dhe që duhet të marrin fund përfundimisht,"-tha dje Çuçi.

Përveç Vlorës, situatë e vëshirë ka qenë edhe në Tiranë, Durrës e Lezhë, megjithatë nuk ka pasur përmbytje në përmasat që u panë në qytetin bregdetar të jugut, ku u desh ndërhyrja e Forcave të Armatosura për evakuuimin e qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB