VLORË- Policia e rendit ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e dokumentacionit të plazheve private në qytetin e Vlorës. Blutë kanë konstatuar parregullsi në një plazh në zonën e Lungomares, ku gjatë mëngjesit të sotëm kanë hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë. Tashmë, hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, ndërsa mësohet se aksioni nuk është kundërshtuar nga pronari i subjektit.
Po ashtu, edhe në Fieri ka vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare të Semanit. Policia bën me dije se 3 persona do të hetohen në gjendje të lirë pasi kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa lejen e autoriteteve përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe atyre të Seksionit të Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në tre stacione plazhi në Seman, konstatuan se pronarët e këtyre subjektve, shtetasit E. F., 38 vjeç, R. Sh., 69 vjeç dhe Z. S., 56 vjeç, kishin zënë në mënyrë të paligjshme tre sipërfaqe toke publike, në të cilat kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. F., R. Sh. dhe Z. S., për veprat penale “Pushtimi i tokës”, "Fshehja e të ardhurave" dhe "Ushtrimi i aktivitetit tregëtar i pa pajisur me kasë fiskale".
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror./ZËRI/