
BERAT-Gjykata e Apelit ka lënë në burg 49-vjeçarin, Alban Muço nën akuzë për mashtrim. Muço, hiqej si prokuror i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Me detyrën që i kishte caktuar vetes, shfaqej në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave.
Muço, i dyshuar për mashtrim dhe përvetësim të titullit, kishte kërkuar në gjykatë një masë më të lehtë, por u refuzua. Në vendimin që TCH disponon, tregohet se si prokurori i rremë ishte paraqitur pranë agjencisë së Kadastrës në Berat dhe ka kërkuar disa dokumenta. E kthyer në një dëshmitare për grupin e hetimit, Osiana Zaimi, drejtoreshë e ASHK Berat, tregon se si e priti prokurorin që kërkoi takim në zyrë.
"Jam prokuror i SPAK dhe kam ardhur me porosi të eprorit për të verifikuar denoncimin e një shtetaseje.”-i tha Muço.
Të vetmit që kanë dyshuar se personi që kishin përballë nuk ishte një prokuror dhe aq më tepër i SPAK, kanë qenë një çift që zotëron një agjenci imobiliare. Ata u kontaktuan prej të akuzuarit për një banesë me qera. Për çiftin rëndësi kishte vetëm pagesa e qerasë dhe kontrata, të cilën mashtruesi e ka përmbushur.
Edhe më herët 48-vjeçari ishte dënuar për veprat penale "Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore" dhe "Mashtrimi".