BERAT- Një 48-vjeçar nga Tirana është vendosur në pranga me urdhër të Prokurorisë së Beratit për shkak se mashtronte qytetarët. I arrestuari, i identifikuar si Alban Muço, hiqej si prokuror i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Me detyrën që i kishte caktuar vetes, shfaqej në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave.
Kështu mashtrimi i tij u zbulua dhe u vendos në pranga. Edhe më herët 48-vjeçari ishte dënuar për veprat penale "Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore" dhe "Mashtrimi". Me këto vepra penal, Muço do të përballet sërish në Gjykatë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË JURIDIKSIONI I PËRGJITHSHËM BERAT
Hiqej si prokuror i Prokurorisë së Posaçme për të zhvatur para, Prokuroria e Beratit arreston shtetasin A.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin A.M. nën akuzë për veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore’. Sipas prokurorisë, shtetasi në fjalë, u paraqit në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në këtë qytet duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave.
Nga hetimet e realizuara në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas me precedentë kriminalë dhe i dënuar më parë për veprat penale "Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore" dhe "Mashtrimi", iu merrte qytetarëve të ndryshëm para duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale "Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore" dhe "Mashtrimi"./ZËRI