Aktualitet

Vetëvrasja e 17-vjeçares/ Prokuroria hedh poshtë pretendimet për bullizim, pritet hapja e telefonit, çfarë ndodhi ditën e tragjedisë

Ndërkohë pritet hapja e telefonit të viktimës

I.F
Vetëvrasja e 17-vjeçares/ Prokuroria hedh poshtë pretendimet
E mitura

GJIROKASTËR- Prokuroria e Gjirokastrës ka hedhur poshtë pretendimet se 17-vjeçarja kreu vetëvrasje për shkak të bullizimeve në shkollë. Sipas organit të drejtësisë, nuk ka prova konkrete se e mitura ka kryer vetëvrasje për shkak të bullizimit. Ndërkohë pritet hapja e telefonit të viktimës, pasi përmes komunikimeve të saj mund të hidhet dritë mbi të vërtetën dhe arsyet që e shtynë atë drejt këtij akti të rëndë.

Sipas “News24”, hetimet janë përqendruar në ngjarjet që ndodhen në ditën kur e mitura kreu vetëvrasje. Pasi një detaj tjetër që është vërejtur nga stafi i shkollës është përdorimi i telefonit. Sipas mësuesve, ditën e ngjarjes, e mitura mbante mbi bankë telefonin e saj, një sjellje që nuk ishte e zakonshme për të. Madje shtohet se në momentin kur iu kërkua që të largojë telefonin, 17-vjeçarja, ndryshe nga sjellja e zakonshme, e ka kundërshtuar mësuesen. Detaj ky që tregon një sjellje ndryshe dhe nervoze të të miturës, por më shumë pritet që të zbulohet në vijimësi të hetimeve.

Deri më tani janë marrë në pyetje rreth 30 persona, përfshirë prindërit, të afërmit, mësuesit dhe shokët e shkollës.

Ndërsa, për letrën që u gjet në sendet e vajzës, Prokuroria e Gjirokastrës ka hedhur poshtë aludimet se ajo ishte një letër lamtumire. Prokuroria shprehet se letra ishte një detyrë mësimore që vajza e ka realizuar kur ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare në lëndën e gjuhës angleze.

Po ashtu, dy psikologë janë përfshirë në hetime.

17-vjeçarja i dha fund jetës duke u vetëvarur në banesën e saj. Kanë qenë familjarët të cilët kanë gjetur trupin e pajetë të së resë e cila ndërmori këtë akt ekstrem. Regjistrimi për vetëvrasjen është bërë për veprën ‘shkaktimi i vetëvrasjes’, pasi dyshohet se e reja i dha fund jetës në banesën e saj, për shkak se bullizohej. Dyshimet nisën nga fakti se në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen që përjetonte për shkak se bullizohej për pamjen e saj të jashtme./ZËRI

Poll

MOS HUMB