TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka mbajtur fjalën e saj në aktivitetin “Jurisprudenca në Kushtetuese”, që u zhvillua paraditen e kësaj të hëne, ku ka theksuar se vendimet e institucionit që ajo drejton nuk janë as këshilluese dhe as opsionale, por të detyrueshme për t’u zbatuar.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese as opsionale, zbatimi i tyre është detyrues për të gjithë pushtetet. Mos zbatimi cënon vetë Kushtetutën.’’, tha Zaçaj.
Ndër të tjera, ajo theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të vendimeve të Kushtetueses nga të gjitha pushtetet. Zaçaj vë në dukje se drejtësia që nuk respekton parimet themelore të Kushtetutës rrezikon të bëhet një mjet pushteti në vend që të jetë një mjet mbrojtjeje dhe ligjshmërie.
DEKLARATA E ZAÇAJT:
Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”, u shpreh ajo.
“Kjo vlen gjithashtu për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut. Ndaj Kushtetutshmëria si mënyrë të qëni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së Bashkuar.
Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton.
Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur.
Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënijeje.
Megjithate, edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen.
Në këtë këndvështrim, do të doja të theksoja se mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese. Duhet të mbajmë mend se qëllimi nuk justifikon mjetet. Drejtësia që nuk respekton parimet themelore të Kushtetutës rrezikon të bëhet një mjet pushteti në vend që të jetë një mjet mbrojtjeje dhe ligjshmërie.
Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti; përkundrazi, ato janë universale dhe duhet të respektohen për të gjithë dhe nga të gjithë—pa përjashtim. Një sistem drejtësie që nuk u jep përparësi të drejtave të njeriut rrezikon te humbasë kredibilitet pavarësisht rezultateve. Vetëm duke respektuar dhe garantuar këto të drejta mund të ndërtojmë një sistem drejtësie legjitim, kushtetues dhe me besim ndër qytetarët./ZËRI/