
TIRANË-Është shtyrë seanca për ndryshimin e masës së 'arrestit me burg' për kryebashkiakun Erion Veliaj. Gjykata e Posaçme do të shqyrtojë më 23 prill kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për ndryshim të masës së sigurisë të arrestit me burg, masë e cila është konfirmuar edhe nga Apeli i Posaçëm më 12 shkurt.
Kërkesa e Veliajt do të shqyrtohet nga gjykatësi Erjon Bani. Me kërkesë nga kryebashkiaku, prokurori Ols Dado ka prezantuar veprimet hetimore të kryera, ndërsa avokatët e Veliajt kanë kërkuar kohë të njihen me aktet.
Kujtojmë se Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Erjon Bani në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme më 12 shkurt. Në vendim thuhej se Veliaj nuk mund të lihet i lirë për shkak se me pushtetin që i ka dhënë posti, mund të ndikojë të dëshmitarët e çështjes apo në prova. Kështu mund të minojë hetimin.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI