TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ndodhur në burg prej muajit shkurt, ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes së cilës kërkon shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Në kërkesën prej 77 faqesh, kryebashkiaku rendit të gjitha shkeljet e bëra nga SPAK lidhur me hetimin ndaj tij, si dhe argumenton të gjitha arsyet pse hetimet e deritanishme duhet të shpallen të pavlefshme.
Konkretisht Veliaj pretendon se nuk i është dhënë e drejta për mbrojtje efektive, pasi i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve. Në procesin hetimor sipas tij janë përdorur ekspert të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë. Po ashtu ai përmend edhe përdorimin e “një kallëzimi penal të falsifikuar, Nesti Angoni, si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit.
Kryebashkiaku Veliaj konstaton se:
• Hetimi i çështjes nga një shtetas që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, pra një person që juridikisht nuk ka qenë asnjëherë prokuror sipas legjislacionit shqiptar;
• Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;
• Përdorimi i një kallëzimi penal të falsifikuar si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit;
• Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;
• Tejkalimi i afateve hetimore përmes fshehjes së statusit të personit nën hetim;
• Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor;
• Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohje me aktet;
• Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;
• “Fraksionimi” i çështjes si një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zyrtarisht i pandehur, ku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI