TIRANË-Ka vijuar sot në GJKKO procesi për dosjen Sterilizimi, ku ka nisur mbrojtja e të pandehurve të cilëve iu pranua gjykimi i shkurtuar duke veçuar reshtjen nga ish-ministri Ilir Beqaj.
Gjatë fjalës së tij Saimir Kadiu ish-drejtor ekonomik i ministrisë së shëndetësisë kërkoi të shpallet i pafajshëm duke deklaruar se nuk ka lidhje me asnjë shpërdorim detyre që pretendon SPAK. Por ndryshe nga kërkesat e tjera për pafajësi, ish-drejtori ka zgjedhur të përdorë një anektodë si arsyetim.
“Lexova një anekdotë para ca ditësh, mori flak pylli dhe u mblodhën gjithë kafshët thanë po na dënon zoti se kemi bërë shumë mëkate, luani tha unë prsh kam ngrenë shumë prej jush, ujku e dhelpra po ashtu, pastaj i erdhi rradha gomarit dhe tha që pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe vajta e hëngra, të gjitha kafshët thanë ky është gabimi më i rëndë dhe dënuan gomarin”, tha ai.
I pyetur nga gjykata pse e tha këtë anekdotë, ish-zyrtari u shpreh: Kërkoj mos jem unë gomari!
Saimir Kadiu drejtor ekonomik ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa akuzohet për 'falsifikim dokumenti' dhe 'shpërdorim detyre'. Ish-zyrtarët e tjerë pjesë e dosjes, mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petraq Mersini në masën 'detyrim me paraqitje'. Mes tyre nuk është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Për dosjen “Sterilizimi”, të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh./ZËRI